AlbanianSport.com 01/04/2022 23:55
ASNN – Spanja dhe Gjermania, do të sfidojnë njëra-tjetrën në grupin E të “Katar 2022”. Ato do të sfidohen edhe nga Japonia, por edhe nga fituesja e “play-off”-it midis CONCACAF-it dhe Oqeanisë, pra Kosta Rika ose Zelanda e Re. Dhe duke folur pas shortit, trajneri i përfaqësueses së Spanjës, Luis Enrike, ka deklaruar se ishte i qetë pas shortit.
“Do të jetë një ndeshje e madhe kundër Gjermanisë, por në fakt çdo ndeshje e grupit do të jetë e vështirë”, – ka thënë ai fillimisht, duke vijuar: “Është koha për t’i analizuar, ndonëse ne e njohim mirë Gjermaninë dhe ajo na njeh mirë neve. Ajo që duhet të na japë zemër është vazhda e rezultateve që ne kemi arritur kundër tyre në vitet e fundit, ku ne kemi epërsi.”
“Ne do të bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë, të vazhdojmë të sulmojmë dhe të përpiqemi t’ua bëjmë të tjerëve të vështirë të luajnë kundër Spanjës. Ndeshja e parë është gjithmonë e rëndësishme, sepse të jep vetëbesim, por është gjithashtu shumë e vështirë për t’u fituar”, – ka përfunduar trajneri i Spanjës, Luis Enrike, duke komentuar shortin e Botërorit.