AlbanianSport.com 15/11/2022 20:45
ASNN – Shoqërueset dhe familjarët e futbollistëve të përfaqësueses së Anglisë nuk mund të përdorin dhe aq lirisht internetin gjatë ditëve të qëndrimit në Katar, ndërsa ndjekin Botërorin. Sipas ligjeve të vendit, disa faqe interneti janë të ndaluara të përdoren dhe nëse përhapen lajme të rreme autorët mund të burgosen. Kështu, bashkëshortet, të fejuarat dhe familjarët e futbollistëve të kombëtares së Anglisë janë paralajmëruar për ligjet strikte për përdorimin e internetit në Katar, gjatë qëndrimit për të ndjekur Botërorin.
Përpara se ata të shkojnë në Botëror, një ekspert kibernetik u takua me gratë dhe të dashurat e futbollistëve të Anglisë për t’i mësuar rreth rreziqeve të “hajdutëve kibernetikë” gjatë përdorimit të internetit në Katar. Shoqërueset e yjeve të Anglisë kanë bërë një konferencë për sigurinë kibernetike përpara se të nisen në Katar. Kjo edhe sepse përdorimi i disa faqeve të caktuara në internet është i bllokuar në shtetin e Gjirit Persik. Dhe kushdo që mundëson përhapjen e “lajmeve të rreme” mund të burgoset.
Një nga shoqërueset e futbollistëve të kombëtares së Anglisë tha se çfarë kishin mësuar gjatë konferencës së sigurisë kibernetike: “Ishte një seancë e gjatë dhe e detajuar. Por nuk u fol për hotelet dhe restorantet. Ishte shumë më tepër për mbështetjen nga Federata Angleze e Futbollit dhe këshilla për kulturën dhe rëndësinë e sigurisë në internet. Parlajmërimet në internet përbënin një pjesë të madhe të saj. Kishte gjithashtu disa shqetësime të vërteta për hajdutët kibernetikë”, – përfundoi ajo.