AlbanianSport.com 27/05/2019 14:50
ASNN – Vazhdon faza e grupeve, “axurrët”, të parët që kualifikohen për në turin e 16-shes, gjithçka drejtpërdrejt në RTSH Sport. Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH Sport po sjell Kampionatin Botëror të Futbollit për Nën-20-vjeçarët, i cili ka luajtur të dielën ndeshjet e dyta në grupet A dhe B.
Kampionati Botëror i Futbollit për Nën-20-vjeçarët, ka luajtur të dielën ndeshjet e dyta në grupet A dhe B dhe, në takimin e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH Sport, Italia ka mundur me një gol të vetëm Ekuadorin.
Duke korrur kështu fitoren e dytë në po aq ndeshje dhe duke u bërë skuadra e para e kësaj veprimtarie që siguron vendin në fazën tjetër, në turin e 16-shes. Fati i kësaj ndeshjeje është vendosur nga një gol i “axurrëve” brenda çerekorës së parë, me autor Andrea Pinamonti.
Por nuk ka qenë aq e thjeshtë fitorja, pasi ekuadorianët, të cilët mbetën me 10 lojtarë në minutën e 41-të, pas daljes me karton të kuq të Xhekson Porozo, humbën një 11-metërsh në fundin e pjesë së parë, i dyti radhazi për ta në po aq ndeshje. Italia kryeson renditjen e grupit B me pikë të plotë 6, dy më tepër sesa Japonia, që mundi në takimin e dytë Meksikën me rezultatin 3-0.
Në takimet e fundit të këtij grupi, që luhen më 29 maj, Ekuadori përballet me Meksikën, ndërsa Japonia me Italinë. Po të dielën janë luajtur edhe ndeshjet e dyta të grupit A dhe Polonia ka shpartalluar Tahitin 5-0, ndërsa në takimin tjetër, Senegali ka mundur Kolumbinë 2-0.
Senegali kryeson me pikë të plota, 6, ndiqet nga Polonia dhe Kolumbia, me nga 3 pikë secila. Në takimet e fundit të këtij grupi, që luhen po ashtu më 29 maj, Kolumbia përballet me Tahitin, ndërsa Senegali, me Poloninë.