AlbanianSport.com 30/05/2019 23:00
ASNN – Në takimin e sjellë nga RTSH Sport, Uruguaji mundi Zelandën e Re 2-0. Kampionati Botëror i Futbollit për Nën-20-vjeçarët, që po zhvillohet në Poloni dhe po sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, ka luajtur të enjten ndeshjet e 3-ta dhe të fundit në grupet C dhe D.
Dhe, në përballjen e sjellë për sportdashësit shqiptarë nga transmetuesi publik, Uruguaji ka mundur Zelandën e Re me rezultatin 2-0, me nga një gol për secilën pjesë loje. Amerikanolatinë kanë gjetur golin e parë në minutën e 40-të, me anë të Nunjezit. Me këtë epërsi minimale të uruguajanëve do të mbyllen 45 minutat e para.
Ndërsa goli i dytë, që do të vulosë fatin e këtij takimi, do të vijë vetëm në fund të të dytave, kur Rodrigez do të gjejë edhe golin e sigurisë për amerikanolatinëve. Uruguaji mposht kështu Zelandën e Re 2-0 dhe merr fitoren e 3-të në po aq ndeshje, duke e mbyllur kështu në krye të grupit C, me pikë të plota, 9.
Pra, 3 më tepër se neozelandezët, që gjithashtu kualifikohen për më tej, Në takimin tjetër të grupit, Norvegjia shpartalloi Hondurasin 12-0, me nga 6 gola për secilën pjesë loje dhe ku 9 gola i shënoi një lojtar i vetë, Ha’alandi, duke mbajtur gjallë shpresat e vakëta për një vend në “play-off”.