AlbanianSport.com 16.12.2015 13:25
ASNN – Skuadra argjentinase e River Plejtit është finalistja e parë e Kampionatit Botëror të Futbollit për Klubet, që po zhvillohet në Japoni dhe po sillet për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Kampionia e Amerikës Latine mundi në gjysmëfinale përfaqësuesen vendase të Senfrisë Hiroshimës me një gol të vetëm, të shënuar në pjesën e dytë.
Kampionati Botëror i Futbollit për Klubet, që po zhvillohet në Japoni dhe po sillet për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka njohur të mërkurën finalisten e tij të parë dhe ajo është kampionia e Amerikës Latine, River Plejti, e cila mundi në gjysmëfinale përfaqësuesen vendase të Senfrisë Hiroshimës me një gol të vetëm.
Kjo sfidë, që u transmetua direkt nga ekrani publik duke nisur nga ora 11:30, ka qenë kryesisht e barabartë, me amerikanolatinët më agresivë në kërkim të golit, por me japonezët më të kujdesshëm për të mos pësuar dhe më të interesuar në shkatërrrimin e lojës së kundërshtarit sesa në ndërtimin e lojës së vet. Për rrjedhojë, loja është karakterizuar nga përplasjet fizike dhe ndërhyrjet e ashpra.
45 minutat e para do të mbyllen me rrjeta të paprekura, ndërsa fati i ndeshjes do të vendoset 18 minuta para fundit, kur një dalje e pasigurt e portierit japonez i ka dhënë mundësi Alarios ta përcjellë topin në rrjetë. River Plejti fiton 1-0 dhe tashmë pret të njohë finalisten tjetër, që do të dalë nga ndeshja Barcelona-Guang-zhou Ever-Grande, që do të luhet të enjten duke nisur nga ora 11:30 dhe do të sillet gjithashtu për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.