AlbanianSport.com 18.12.2016 19:25
ASNN – Botërori i Klubeve në Futboll, që është organizuar përgjatë 7 ditëve të fundit në Japoni dhe që ka ulur të dielën siparin e tij, duke kurorëzuar si fitues Realin e Madridit, ka hyrë në histori për disa risi historike.
Përveç ndihmësgjyqtarëve të video-provës, pra marrjes së vendimit nga ana e gjyqtarit pas konsultimit me pamjet televizive, kjo veprimtari solli edhe një tjetër ndryshim të rregullave të lojës më popullore në planet.
Kështu, Alvaro Morata hyri në histori duke u bërë, për herë të parë, zëvendësuesi i katërt në një ndeshje futbolli. Kristiano Ronaldo mund të ketë marrë vëmendjen e plotë në finalen e këtij Botërori të Klubeve, kundër Kashimas.
Por edhe Alvaro Morata është bërë, bashkë me të, pjesë e historisë së futbollit. Sulmuesi spanjoll e zëvendësoi Ronaldon në shtesën e dytë dhe u bë gjithashtu zëvendësuesi i katërt për herë të parë në histori.
Ky ndërrim i 4-t është miratuar nga FIFA vetëm për kohët shtesë dhe do të nisë të zbatohet edhe më gjerësisht në të gjithë veprimtaritë futbollistike anembanë botës.