AlbanianSport.com 01.10.2014 11:05
ASNN – Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar po transmeton për sportdashësit drejtpërdrejt ndeshjet e Kampionatit Botëror të Basketbollit për Femra, që po zhvillohet në Turqi.
Pas një dite pushim, në ditën e 3-të të këtij Botërori janë zhvilluar 8 ndeshje dhe spikati fitorja e thellë e Brazilit ndaj Japonisë në grupin A, në shifrat 79-56, ndërsa po për këtë grup, edhe Spanja ka fituar bindshëm, 67-43, ndaj Republikës Çeke.
Në grupin D, Serbia triumfoi me vështirësi, 65-63 ndaj Kinës, ndërsa po për këtë grup, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpartalluan Angolën 119-44.
Në grupin C, Australia mundi pa probleme Bjellorusinë me shifrat 87-45, ashtu sikundër Kuba mund Korenë e Jugut 73-57.
Dhe, së fundi, në grupin B, Turqia vendase mposhti Mozambikun 64-54, kurse Franca përmbysi Kanadanë, duke fituar 63-59 në sfidën e transmetuar drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.