AlbanianSport.com 17/11/2022 16:55
ASNN – Tifozët e Meksikës i luten “Fëmijës së Mrekullive”, për të ndihmuar përfaqësuesen e tyre që të prishë mallkimin, që e pengon atë të kalojë në çerekfinalet e një Botërori. Meksika ka 7 edicione botërorësh radhazi që nuk kalon dot fazën e turit të 16-shes. I veshur me një uniformë trengjyrëshe dhe me një top në këmbë, (Ninjo Dios – Fëmija i Mrekullive) bëhet shpresa e besimtarëve meksikanë në çdo 4 vjet që skuadra e tyre të fitojë Botërorin.
Përfaqësimi i Jezusit, statuja tregon “Fëmijën” në fron, të veshur me një këmishë jeshile, pantallona të shkurtra të bardha dhe çorape të kuqe, duke u dhënë një bekim besimtarëve të tij, të cilët këtë vit po luten që skuadra të mposhtë mallkimin që i pengoi ata të kalojnë në çerekfinale në plot 7 edicionet e fundit të Kupës së Botës. Meksika do të debutojë të martën e ardhshme kundër Polonisë në Grupin C, që plotësohet nga favoritja, Argjentina, por edhe Arabia Saudite.
Por humbja 2-1, të mërkurën ndaj Suedisë, në miqësoren e fundit para Botërorit, riktheu dyshimet për skuadrën e drejtuar nga argjentinasi Gerardo “Tata” Martino. Kritikat kanë arritur deri aty sa trajneri është shprehur se ndihet si “armiku numër një publik”. Me 16 pjesëmarrje në Botërorë, Meksika ka luajtur vetëm çerekfinalen në edicionin e “Meksikë 1986”, ku humbën ndaj Gjermanisë me 11-metërsha. Pas kësaj ka 7 Botërorë radhazi që ka ngecur në turin e 16-shes, që nga “Italia 1990”.