AlbanianSport.com 12/06/2018 09:45
ASNN – Ylli dhe ish-lojtarët e tjerë të skuadrës së 1998-ës “bekojnë” përfaqësuesen. Ish-futbollisti i Francës në finalen historike të 1998-ës, Zinedin Zidan, beson se edhe skuadra aktuale ka potencialin për t’ia dalë në “Rusi 2018”. Fjalëve të Zidanit u kanë bërë jehonë edhe ish-lojtarë të tjerë të atij brezi, teksa një pjesë e mirë e ish-skuadrës së Francës, që u shpall “kampione e botës” në 1998-ën, është mbledhur sot, pas 20 vjetësh, fare pranë Stadë dë Francë.
Janë mbledhur 20 vjet pas triumfit, si dikur dhe urojnë që përfaqësuesja aktuale të përsëritë suksesin e tyre. Një pjesë e mirë e ish-skuadrës së Francës, që u shpall “kampione e botës” në 1998-ën, është grumbulluar në St. Denis, fare pranë Stadë dë Francë dhe midis tyre ka spikatur padyshim ylli i saj finaleje, Zinedin Zidan. “Përtej triumfit, ishte kënaqësi që u mblodhëm sërish bashkë, – ka thënë ai. – Fitorja është e rëndësishme për 23 lojtarët, por edhe për ata që na mbështetën.”
“Ajo që më ka mbetur nga 1998-ta, është se ishte me të vërtetë historike, – ka vijuar Zidani. – Ishte historike sepse e bëmë vetëm një herë dhe kjo tregon sesa e vështirë është ta fitosh qoftë edhe një. Dhe kjo është ajo me të cilën do të përballet përfaqësuesja e Francës në Botërorin e Rusisë.” Zidani beson se edhe skuadra aktuale ka potencialin për t’ia dalë në “Rusi 2018”, teksa thotë me siguri në vetvete: “Të aftë, ata janë të aftë!”
“Ata kanë talent në gjirin e tyre, ata kanë pasion të çmendur dhe dëshirë, sepse në një veprimtari si kjo, që tejkalon gjithçka, ata janë, po, po, janë të aftë… – ka vijuar i mbiquajturi me përkëdheli “Zizu”. – Nuk kam asnjëlloj këshille për t’u dhënë, unë thjesht do të mbështes skuadrën time, do të mbështes Francën dhe kaq.” Edhe për ish-portierin e përfaqësueses së Francës më 1998-ën, Fabien Bartez, këshilla është e thjeshtë.
“Gjithçka që mund t’u uroj atyre është që ta shijojnë lojën, ta shijojnë momentin, ta shijojnë futbollin, sepse këto janë çaste të paharrueshme”, – thotë ai. Kurse mesfushori Kristian Karembë ka një urim për Francën. “Trajneri Didië Deshomp ka një grup të jashtëzakonshëm, ka talente në skuadër, – thotë ish-futbollisti i “Les Blues”. – Shpresoj që ne t’u transmetojmë pikërisht këtë kulturën e të fituarit dhe t’i shtojnë fanellës blu një tjetër yll.”