AlbanianSport.com 26/05/2018 11:10
ASNN – Ndërsa po zhvillon stërvitjen në qendrën e grumbullimit në prag të botërorit Rusi 2018, përfaqësuesja e Brazilit është vizituar nga dy ish-futbollistë të mëdhenj, kampionë bote ndër vite. Me karrocën e tij me rrota, fillimisht në fushë ka hyrë Zagallo, kampioni i trefishtë botëror me Brazilin. Ai ka takuar Nejmarin, të cilit i ka thënë se duhet të bëhet lider i skuadrës. Të jetë frymëzues I të gjithë lojtarëve, t’i mbajë ata të bashkuar dhe të shpalosë talentin e tij në fazën finale të Botërorit “Rusi 2018”.
Më pas Zagallo e ka pyetur Nejmarin edhe për dëmtimin e tij. Kampioni i trefishtë i botës është takuar edhe me Kasion, portierin e trajnerëve dhe trajnerin Tite. Më pas ka ndjekur seancën stërvitore. Por surprizat për futbollistët brazilianë nuk kanë mbaruar kur pranë tyre ka mbërritur edhe 3 herë kampioni tjetër i botës, Dada Maravilja. Edhe 72-vjeçari ka vënë theksin tek udhëheqësi i ekipit të Brazilit, i cili duhet të jetë Nejmari. “Dua që Nejmari të jetë pjesë e ekipit sa më shpejt të jetë e mundur”, – ka thënë ai.
“Ai është lojtari më i mirë i Brazilit, i pakrahasueshëm me të tjerët, – ja vijuar Maravilja. -Duhet të bëhet lider i ekipit. Nëse Brazili do të jetë i aftë të luajë si skuadër, atëherë do të jetë i pamposhtur.” Për këtë, Maravilja jep si shembull “Selesao”-n e vitit 1970, që mahniti gjithë globin me mrekullitë që shpalosi në fushë. “Ne duhet të marrim shembullin e “Selesao”-s në vitin 1970, që konsiderohet në të gjithë botën, si përfaqësuesja më e mirë e të gjitha kohërave”, – ka theksuar ai.
“Ne duhet të kopjojmë atë “Selesao”, që e merrte topin dhe nuk lejonte kundërshtar t’ia rrëmbente derisa shënonte gol”, – përfundoi Maravilja, i cili e ka ndjekur më pas stërvitjen e kombëtares braziliane nën drejtimin e trajnerit Tite.