AlbanianSport.com 05/06/2018 11:55
ASNN – Do të jetë apo jo Salahu me Egjiptin, kundër Uruguajit në sfidën e parë që do të luajnë në Botërorin e Rusisë? Kjo ka qenë tema që trajneri i ekipit uruguajan, Oskar Tabarez, ka diskutuar gjatë stërvitjes së të martës. “Nëse ai do të jetë, atëherë duhet të marrim masa paraprake”, – tha Tabarez. Uruguaji do të debutojë kundër Egjiptit në Botëror, por Mohamed Salah, i cili u dëmtua në shpatull, është në dyshim për ndeshjen që do të luhet më 15 qershor 2018.
Gjatë stërvitjes që po kryen Uruguaji në Kompleksin “Seleste”, rreth 35 km në lindje të Montevideos, trajneri i Uruguajit, Oskar Tabarez tha se nuk do të bazohet te hipotezat, por pranoi se “në qoftë se Salahu luan kundër Uruguajit, do të marrë masa paraprake, sepse ai është një lojtar i nivelit të lartë”. “Sidoqoftë, unë nuk do të ndryshoj skemat e mia për këtë arsye” – tha ai. Pas stërvitjes, kapiteni i Uruguajit, Diego Godin, tha se Egjipti është një ekip që luan mirë.
“Ata kanë një favor të madh që stërviten nga trajneri argjentinas Hektor Kuper, që ka ide të qarta”, – shtoi Godini, i cili, duke iu referuar Salahut, tha se ai është një lojtar mjaft cilësor. “Ne do të përgatitemi njësoj, është apo jo Salah, kundër Egjiptit asgjë nuk do të ndryshojë, – ka theksuar kapiteni uruguajan. – Ai është një lojtar vendimtar dhe përcaktues.”
“Dallimi nëse do jetë apo jo në fushë është i rëndësishëm për ta, jo për ne”, – përfundoi Godini. Ylli i Liverpulit, Mohamed Salah, u dëmtua në finalen e Ligës së Kampioneve dhe prej kohësh, por kryen fazën rikuperuese në Valencia. Egjipti rikthehet në fazën finale të një Botërori pas 28 vitesh mungesë.