AlbanianSport.com 01/06/2018 11:40
ASNN – Uniforma e futbollistëve do të ketë motive tradicionale, të ndërthurura me modernen. “Fez”, “zheb’ba” dhe “farmla”. Kështu do të jetë kostumi i futbollistëve të përfaqësueses së Tunizisë, me të cilin do të paraqiten në Botërorin e Rusisë. Ideja ka ardhur pas disa polemikave për kostumet që do të veshin lojtarët në foton zyrtare. “Ne kemi tashmë një projekt, ku në foton zyrtare të kombëtares sonë, futbollistët do të paraqiten me veshje të trashëgimisë sonë”, – tha Ben Amor, ideusi i këtyre veshjeve.
Përveç “fez”-it, kapeles me stof të lëmuar tipike tuniziane, “zheb’basë”, veshje e qëndisur e gjerë dhe “farmlasë”, jelekut, janë duke u qepur nga rrobaqepësit më të mirë tunizianë. Ato janë bërë prej mëndafshi të endur me dorë. “Zheb’baja” dhe “farmlaja” do të kenë ngjyra simbolike, blu për stafin mjekësor, gri argjendi për stafin administrativ dhe jeshile smerald për presidentin e federatës. Trajneri Nabil Malul, do të vishet me të kuqe, ngjyra emblematike e shekullit të 18-të dhe të 19-të para kolonizimit francez.
Lojtarët do të mbajnë një xhaketë ngjyrë mandarinë, me prerje moderne, qëndisur me të gjelbër me motive tradicionale. Pantallona dhe këmisha liri, çorape me fije mëndafshi dhe një palë këpucë gjysmë të hapura lëkure. Veshjet, kapin një vlerë prej 23 mijë euro, financuar nga Ministria e Turizmit e Tunizi[së. “Disa lojtarë ishin skeptikë për këto veshje, pasi thanë se i bënte të dukeshin më të vjetër, madje as në dasmat e tyre nuk kishin veshur “zheb’ba”, – tha Ben Amori.
“Por unë ua shpjegova atyre se kemi modernizuar veshjen dhe ata u bindën pasi panë skicat”, – shtoi ai. Artizanët kanë kohë deri në fillim të qershorit për të përfunduar veshjet dhe ekipi të jetë gati për foton zyrtare përpara se të niset për në Rusi.