AlbanianSport.com 11/06/2018 09:50
ASNN – Kreu i Kremlinit: “Botërori është një mundësi për të njohur Rusinë, kulturën dhe historinë e saj.” Vladimir Putin përshëndeti të gjithë ekipet e futbollit që kanë mbërritur dhe do të vijnë në ditët në vijim në qytetet ruse për të marrë pjesë në Botëror. 32 ekipet pjesëmarrëse do të akomodohen në 11 qytete ku do të luhen ndeshjet, nga data 14 qershori deri më 15 korrik 2018.
“Mirëpresim ekipet më të mira të futbollit në planet së bashku me tifozët e tyre! – tha presidenti Putin gjatë fjalimit të tij transmetuar në televizion. “Përveçse gëzim është një nder i madh për ne që të jemi mikpritës të përfaqësuesve më të mirë të familjes së futbollit, – vijoi ai. – Shpresoj që Botërori të jetë një festival plot pasion dhe emocion dhe ekipet e mbështetësit e tyre të përjetojnë një përvojë të paharrueshme.”
Më shumë se një milion tifozë janë duke u përgatitur për të marrë rrugën e Rusisë e për të mbështetur një nga 32 ekipet e kualifikuara në Botërorin e këtij viti. Sipas Presidentit të FIFA-s, Xhani Infantino, janë vënë në dispozicion 13 miliardë dollarë, që Rusia të mund të akomodojë si duhet për një muaj tifozët e futbollit. “Botërori është gjithashtu një mundësi për të njohur Rusinë, identitetin e saj, kulturën e saj, historinë e saj unike, diversitetin e saj natyror, njerëzit e saj mikpritës, të sinqertë e miqësorë”, – përfundoi Vladimir Putini, teksa qëndronte përpara Kremlinit nën një qiell me diell.