AlbanianSport.com 01/06/2018 17:35
ASNN – Edhe përfaqësuesja e futbollit e Meksikës është pritur nga presidenti i vendit Enrike Penja Nieto. Ai është takuar me të gjithë futbollistët, kapitenin e kombëtares Rafael Markez dhe trajnerin Huan Karlos Osorio. Presidenti i Meksikës e quan një arritje në historinë e vendit, kalimin e përfaqësueses së futbollit, në fazën finalet të Botërorit Rusi 2018.
“Ju jeni ekipi që realizon, në këtë moment, historinë tonë, – ka thënë presidenti Nieto. – Dhe ju po bëni atë që nuk po e arrijnë partitë politike në vend. Të jeni të sigurt se ju do t’ju ndjekë dhe mbështesë gjithë populli meksikan”. Ndërsa kapiteni i përfaqësueses meksikane, Rafael Markez, i ka treguar presidentit për vështirësitë që kanë kaluar një pjesë e futbollistëve të ekipit.
Dhe, sipas tij, vetëm dëshira dhe këmbëngulja kanë bërë që ata të arrijnë këtë sukses. “Disa prej nesh kanë marrë goditje shumë të forta, në aspekte të ndryshme të jetës, – ka thënë veterani. – Por ne kemi arritur të rimëkëmbemi dhe vetëm këmbëngulja na ka bërë që të jemi këtu, për të jetuar ëndrrën për të luajtur në Kupën e Botës”. Presidenti Nieto u ka dorëzuar më pas flamurin kombëtar, duke u uruar suksese në botëror si dhe i ka siguruar edhe njëherë për mbështetjen që do të kenë.