AlbanianSport.com 28/05/2018 20:10
ASNN – Ylli i futbollit botëror, Lionel Messi nuk e sheh veten me një skuadër tjetër në Evropë, përveç Barcelonës. Më një intervistë për mediat vendase, sulmuesi argjentinas nuk e përjashton mundësinë e mbylljes së karrierës në vendlindje. “Sa më shumë që kalon koha, aq më shumë bindem që në Evropë do të mbaj veshur vetëm një fanellë, vetëm atë të Barcelonës”, – ka thënë ai.
“Gjithmonë jam shprehur se do të doja që një ditë të luaja në Argjentinë, – ka vijuar ai. – Nuk e di nëse kjo do të ndodhë, është thjesht një ide. E kjo do të ndodhte vetëm me Njuell Olld Bojs, të paktën për 6 muaj.” Sigurisht, pengu i madh i Mesit është vetëm mungesa e trofeve me Argjentinën, edhe pse është pjesë e “bardhekaltërve” prej më shumë se një dekade.
“Do ta ndërroja një titull të fituar te Barcelona me një të kombëtares, – ka pohuar ai. – Një trofe me Argjentinën do të ishte diçka unikale. Është realitet që sot nuk jemi shumë të fortë, kemi lojtarë me shumë cilësi dhe përvojë, por duhet të jemi realistë dhe të përulur. Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një. Do të ishte shumë e rëndësishme që ta nisnim me fitore Botërorin. Mendoj se favoritët kryesorë për të triumfuar në Rusi janë Brazili, Spanja dhe Gjermania.”