AlbanianSport.com 12/06/2018 07:55
ASNN – Ylli i futbollit botëror, Lionel Mesi, i cili mbush 31 vjeç gjatë Botërorit rus, beson se Spanja, Brazili, Gjermania, Franca dhe Belgjika janë favoritet e tij kryesore për ta fituar titullin e kampiones së botës. Ndërkohë, kapiteni i Argjentinës tha se e ardhmja e tij ndërkombëtare do të përcaktohet nga paraqitja e përfaqësueses së vendit të tij në këtë Botëror. Argjentina do të përballet në grupin D me Islandën, Kroacinë dhe Nigerinë.
Kapiteni i Argjentinës, Lionel Mesi, deklaroi se e ardhmja e tij ndërkombëtare do të përcaktohet nga paraqitja e përfaqësueses së vendit të tij në Botërorin e këtij viti në Rusi. “Do të varet nga ajo sesa larg do të shkojmë dhe sesi do ta mbyllim këtë Botëror”, – tha ai, duke folur për të përditshmen sportive katalane, “Sport”. “Ne kemi humbur 3 finale radhazi, çka na ka çuar drejt disa periudhave të vështira edhe me shtypin, – vijoi sulmuesi i Barcelonës.”
“Sidomos me shtypin argjentinas, sepse ne kemi diferenca opinionesh mbi atë se ç’do të thotë të shkosh deri në këto 3 finale”, – shtoi sulmuesi i Barcelonës. Argjentina u mund 0-1 në kohën shtesë në finalen e Botërorit të 2014-ës në Brazil përballë Gjermanisë, përpara se dështonte dy herë radhazi përballë Kilit në finalen e “Copa America”-s në 2015-ën dhe 2016-ën. Mesi, i cili mbush 31 vjeç gjatë Botërorit rus, beson se Spanja, Brazili, Gjermania, Franca dhe Belgjika janë favoritet e tij kryesore për ta fituar titullin e kampiones së botës.
“Janë shumë skuadra që vijnë në këtë Botëror me shumë besim në vetvete, por edhe me talente si skuadër dhe si individë”, – përfundoi 5 herë fituesi i “Topit të Artë”. Argjentina është njëra nga të paktat skuadra që shkojnë në Botërorin e Rusisë pa një “provë gjenerale”, pasi miqësorja e planifikuar me Izraelin, u anulua për shkak të gjendjes në Palestinë dhe kërcënimeve për sulme nëse një ndeshje e tillë do të zhvillohej. Argjentinasit do të ndeshen në grupin D me Islandën, Kroacinë dhe Nigerinë.