AlbanianSport.com 02.10.2014 10:05
ASNN – Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar po sjell për sportdashësit drejtpërdrejt dy veprimtari madhore të lojërave me dorë, Kampionatin Botëror të Volejbollit për Femra dhe atë të Basketbollit, po për Femra.
Botëror i Volejbollit, që po zhvillohet në Itali, ka hyrë në fazën e dytë të ndeshjeve në grupe, ku 16 skuadrat e mbetura janë ndarë në dy grupe me nga 8 skuadra, nga ku 4 të parat renditjes së çdo grupi vijojnë më tej në çerekfinale.
Midis rezultateve të 8 ndeshjeve të së mërkurës, spikati fitorja 3-2 e Republikës Domenikane ndaj Belgjikës, si dhe ajo 3-1 që Shtetet e Bashkuara të Amerikës korrën ndaj Turqisë, ndërsa me të njëjtat shifra Rusia mposhti Bullgarinë.
Ndërkaq, në ditën e 4-t të tij, Botërori i Basketbollit për Femra, që po zhvillohet në Turqi, ka luajtur 4 ndeshje, ndërsa dita e sotme është pushim. Në ndeshjet e së mërkurës, Republika Çeke u mund 71-91 nga Kanadaja, ndërsa Franca mundi Brazilin 61-48, në takimin e transmetuar drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Takim interesant ishte edhe ai midis Bjellorusisë dhe Kinës, që u fitua nga aziatiket me rezultatin 72-67, ndërsa po kaq e luftuar deri në fund ka qenë edhe ndeshja midis Serbisë dhe Kubës, që u fitua nga ballkanaset 86-79.