Et’hem Ibrahimi* 25.09.2014 11:15
Siç jemi njoftuar nga mediat, në datat 25-28 shtator në do të zhvillohet Kampionati Kombëtar i Të Rriturve në boks në Tiranë. Ky është kampionati i 40-të kombëtar për këtë kategori moshe, atje ku do të marrin pjesë një numër i madh ekipesh, të cilët do të përfaqësohen me boksierët më të mirë të vendit. Bëhet fjalë për ata që janë dalluar gjatë këtyre viteve të fundit si në veprimtaritë kombëtare, ashtu dhe ato ndërkombëtare. Më tepër janë dalluar ekipet e Vllaznisë, Flamurtarit, Tiranës, Apolonisë, Teutës, etj. Kureshtja se ku e se si përgatiten ekipet përpara kampionatit na ka çuar një ditë tek skuadra e boksit e Tiranës, ndërsa kam shkuar në palestrën ku përgatitet kjo skuadër.
Ishte një sallë jo komode, por e kompletuar me bazë stërvitore të kënaqshme. Në atë sallë pashë shumë të rinj, të cilët po përgatiteshin për fillimin e stërvitjes. Në ora 17:30 ekipi u rreshtua, ndërsa trajneri i njohur Sead Bushati, njëri nga boksierët më të suksesshëm të historisë së dorezave shqiptare, del përpara ekipit dhe tregon programin stërvitor. Ekipi fillon nxehjen dhe më pas ndahet në grupe pranë veglave e mjeteve stërvitore si në thasët e boksit, luftim në hije, të tjerët në kërcim në litar, “sparing” mësimor dhe luftarak, ndërsa trajneri punon individualisht me boksierë të veçantë. Më vonë Bushati kalon nga njëri grup tek tjetri, bën vërejtje e korrigjon gabimet e secilit boksier.
Të gjithë të rinjtë janë të vëmendshëm e korrekt në veprime, secili mundohet të bëjë më të mirën. Ajo që më ra më shumë në sy ishte pjesëmarrja e madhe e të rinjve në stërvitje të ardhur nga grupet e moshave të ndryshme. Gjithashtu dhe interesimi i tyre për të përfituar sa më shumë nga stërvitja, nga shokët më të përgatitur dhe nga trajneri i tyre. Duke biseduar veçmas me dy herë kampionin kombëtar Alban Bermetën se cili është objektivi i tij në këtë kampionat, ai u përgjigj me plot optimizëm: “Kam bërë përgatitje serioze gjithëvjetore dhe do të dal për të tretën herë kampion”. Pas përfundimit të stërvitjes zhvilluam dhe një bisedë me trajnerin e ekipit, ndërsa pyetja për të ka qenë se cili është objektivi në këtë kampionat të 40-të kombëtar?
“Gjatë vitit 2014 ekipi i boksit i të rriturve të klubit tonë ka zhvilluar stërvitje nga vitet e mëparshme, – thotë Seadi. – Në ekip bëjnë pjesë shumë djem që kanë vite që stërviten në boks. Këtë vit boksierët tanë ka zhvilluar stërvitje në kampingje në Voskopojë e në bregdet. Ekipi gëzon një formë shumë të mirë fiziko-teknike e taktike dhe të gjithë jemi optimist për arritjen e titullit kampion”. Në një tjetër pyetje se ku e bazoni këtë sukses, Bushati do të deklaronte: “Tirana tashmë është një skuadër e konsoliduar. Në këtë ekip bëjnë pjesë boksierë tashmë të afirmuar dhe si të tillë mund të përmendim katër herë kampionin e Shqipërisë, Aleksandër Ramën.”
“Më pas dy herë kampionin e Shqipërisë Alban Bermetën, kampionin kombëtar Alban Beqirajn, – vijon ai. – Por pa harruar Denis Nurjen, Esild Kalemin, Mario Camin. Gjithashtu në këtë ekip bëjnë pjesë dhe shumë boksierë të talentuar si Anxhelo Merkohasani, Jurgen Uldedaj, Ilir Laçi e shumë të tjerë, të cilët e duan sportin e boksit dhe po sakrifikojnë gjithçka për të arritur suksese në sportin që kanë zgjedhur. Është kënaqësi të zhvillosh stërvitje me këta djem të mrekullueshëm, por në të njëjtën kohë është dhe shumë përgjegjësi për mua si trajner që këtyre të rinjve t’u japësh sa më shumë dije, kulturë dhe teknika të boksit bashkëkohor”.
Në vazhdim të bisedës tonë, Bushati shton: “Nga Federata Shqiptare e Boksit na është thënë se në këtë kampionat do të lejohen të marrin pjesë boksierë të datëlindjes 1996 e poshtë, si dhe nuk do të lejohet si më parë që një boksier i njërit ekip të boksojë për një ekip tjetër. Gjithashtu nuk do të lejohen boksierë të huaj të boksojnë në kampionatin shqiptar pa u konfirmuar nga FSHBo-ja. Të shohim se sa do të mbahen këto premtime”. E në fund, pasi e kemi falënderuar Bushatin për këtë bisedë, e gjithë mendimi shkon se Tirana është pretendente kryesore për titull kampion, jo vetëm se bokson përpara publikut të vet, por se ka një përgatitje gjithëvjetore.
* Specialist dhe trajner boksi