AlbanianSport.com 23.04.2016 12:55
ASNN – Që nga dita e djeshme e deri të dielën në Vlorë, është duke u zhvilluar kampionati kombëtar i boksit për shkollorët apo moshën deri në 12 vjeç dhe paratërinjtë, ose moshën deri në 15-16 vjeç. Një veprimtari shumë e bukur, i cili ka nisur në palestrën e boksit në Vlorë, ndërsa ka pasur një pjesëmarrje të madhe të boksierëve të këtyre kategorive që kanë përfaqësuar ekipet e Flamurtarit, Eneas, Tiranës, Vllaznisë, Tomorit, Apolonisë, Arenës, Kukësit, Elbasanit dhe Teuta.
Paradite janë zhvilluar ndeshjet e shkollorëve atje ku ka spikatur dueli mes Kristian Koços së Flamurtarit dhe Kristian Ballës së Teutës, që ka përfunduar 3-0 në favor të boksierit vlonjat. Një tjetër ndeshje e bukur ka qenë ajo mes Egi Braicit të Teutës dhe Donald Gjonajt, të cilën e ka fituar boksieri durrsak. Në përgjithësi të bukura kanë qenë sfidat, ndërsa disa nga rezultatet e kësaj kategorie kanë qenë: Pesha 37 kg Flamurtari-Teuta 3-0, Pesha 38.5 kg Tirana-Teuta 3-0, Pesha 40 kg Teuta-Enea 3-0, Pesha 40 kg Enea-Tirana 3-0, Pesha 44.5 kg Apolonia-Teuta 3-0.
Ndërkohë dje pasdite janë ngjitur në ring grupmoshat e kadetëve që kanë dhuruar më shumë emocione. Një takim i bukur ka qenë ai mes Mateo Zenelit të Flamurtarit dhe kundërshtarit të tij beratas, që është fituar me nokdaun. Në të tilla nivele ishte dhe fitorja e Gabriel Hysës së Apolonisë ndaj boksierit të Tiranës. E disa nga rezultatet e kadetëve ishin: Pesha 48 kg, Enea-Teuta 3-0, Pesha 48 kg, Vllaznia-Flamurtari 3-0, Pesha 57 kg, Flamurtari-Tomori me KO fituar nga boksieri Mateo Zeneli, Pesha 57 kg, Vllaznia-Apolonia 3-0, Pesha 60 kg, Teuta-Arena 0-3, Pesha 63 kg, Apolonia-Teuta 1-2, Pesha 65 kg, Vllaznia-Kukësi 3-0. Kampionati përfundon të dielën.