Gjergj Vyshka 22.10.2014 12:00
Boksieri i Tiranës ka mundur nënkampionin e Evropës në fuqi duke shfaqur një formë të mirë. Vlonjati, pasi ka mundur çekun Gabor dhe irlandezin Frensis, është kualifikuar për në çerekfinale. Kampionati Evropian i Boksit për Të Rinj, i cili ka nisur fundjavën e kaluar në kryeqytetin kroat Zagreb, duket se po ecin sipas të gjitha parashikimeve për delegacionin shqiptar. Pikërisht dy fituesit e medaljeve të bronzta të sezonit të kaluar, Rexhildo Zeneli dhe Jurgen Uldedaj, jo vetëm që kanë kaluar kundërshtarët e tyre, por janë pranë zonës së medaljeve.
Ajo që duhet theksuar është fakti se si Rexhildo, ashtu dhe Krenari, apo dhe Jurgen Uldedaj i kanë kaluar turet e para pa kundërshtar. Fillimisht Rexhildo Zeneli ka kaluar çekun Daniel Gabor, teksa ka fituar me pikë teknike 3-0, ndërsa në pikë raundesh, vlerësuar nga tre gjyqtarët anësorë, ka qenë sërish fitues. Me pikë të ngushta, që do të thotë se ka qenë një ndeshje me rivalitet, por që në përfundim është vlerësuar me të njëjtin rezultat për të tre raundet, 30-27. Ndërkohë Zeneli nuk është ndalur këtu, sepse dje ka fituar dhe me irlandezin Frensis.
Pastër dhe bukur për vlonjatin e peshës 56 kg, 3-0, që do të thotë se tashmë është në turin çerekfinal mes tetë më të mirëve të kontinentit. Por një formë të jashtëzakonshme ka paraqitur boksieri i Tiranës, Jurgen Uldedaj, i cili ka fituar pastër 3-0 ndaj nënkampionit në fuqi të peshës 81 kg, azerbajxhanasit Aliev Orkhan. 30-27, 30-27, 30-27 janë rezultatet e tre raundeve të fituara nga ky boksier, i cili po tregon një formë shumë të mirë, ndërsa është kandidat për një tjetër medalje evropiane. Ndërkohë është eliminuar Erald Muhja në peshën 64 kg.
Ai është mundur nga bullgari Zdravko Popov, që e ka fituar ndeshjen me boksierin tonë, 3-0 (30-26, 30-27 dhe 30-27). Në përgjithësi një paraqitje e kënaqshme dhe shumë e mirë e boksierëve tanë, që është dhe meritë e trajnerëve Zef Gjoni, Jozef Sermi, Gëzim Zeneli dhe Sead Bushati. Ndërkohë që ajo duhet që theksuar është fakti se delegacioni shqiptar shoqërohet nga presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Gjergji Leqejza, dhe sekretari i përgjithshëm Edmond Kabashi, të cilët janë pjesëmarrës në Kongresin Evropian.
Ajo që mbetet është se Rexhildo Zeneli dhe Jurgen Uldedaj janë kandidat për të qenë në zonën e medaljeve në këtë evropian të boksit.