Gjergj Vyshka 01.05.2015 14:20
Nuk kanë munguar në ceremoninë e djeshme edhe vlerësimet e Todi Jankut, ndërsa vetë boksieri Kreshnik Qato do të falënderonte familjen e tij, si dhe trajnerët që janë marrë e kanë punuar me të. “Pas 27 vitesh karrierë është shumë e vështirë që të ndahesh prej një sporti, të cilit i ke kushtuar gjithçka, – ka deklaruar ai. – Falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur, ndërsa kemi shumë dashamirës.”
“Boksi si sport është aq i vështirë dhe i bukur, por kur merr fitoren të gjitha harrohen, – ka vijuar Qato. – Në 2004-tën kur kam nisur karrierën si boksier profesionist gjithçka ishte e panjohur për mua. Madje po tregoj diçka që nuk e kam thënë, kur kam shkuar në një ndeshje në Ukrainë kam pasur vetëm dy tifozë, trajnerin tim dhe bashkëshorten, Anilën.”
“E më pas ardhja e kompanisë “Yldon” dhe presidentit Ylli Ndroqi ndryshoi gjithçka. Ndaj e falënderoj atë për mbështetjen, sikurse falënderoj dhe trajnerët e mi. Tashmë kam ngritur një ekip në Londër dhe do të vazhdoj punën si trajner”, – ka përfunduar Qato, që me tërheqjen e tij nga bota e mrekullueshme, por e vështirë e boksit, Shqipëria ka një kampion më pak për t’u krenuar në arenën ndërkombëtare.
Por gjithsesi ndihemi të privilegjuar që kemi qenë dëshmitarë të epokës të Kreshnik Qatos.