Gjergj Vyshka 22.01.2015 08:50
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka pritur dje fituesin e medaljes së bronztë në Evropianin e boksit të të rinjve, Jurgen Uldedaj. Nuk duhet harruar që Uldedaj ka qenë edhe fitues i medaljes së artë në turneun ndërkombëtar në Baku. Dhe për rrjedhojë, pasi është nderuar nga shumë personalitete të qeverisë shqiptare, dje është pritur dhe nga presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Në këtë takim tepër miqësor, boksieri Jurgen Uldedaj ka qenë i shoqëruar nga presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Gjergj Leqejza, si dhe nga trajnerët Zef Gjoni dhe Sead Bushati.
Sipas njoftimit në faqen e tij zyrtare në Internet, www.presidenca.al, Presidenti Nishani shprehu vlerësimin maksimal për arritjet e sportistit të ri, jo vetëm si kampion në veprimtaritë e organizuara në nivel kombëtar, por dhe për rezultatet e larta të arritura në dy kampionatet e fundit evropiane dhe në turneun ndërkombëtar për të rinjtë të organizuar në Azerbajxhan. Në një atmosferë miqësore Presidenti shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e tij ndaj boksierit Uldedaj duke theksuar se të tilla arritje ndihmojnë jo vetëm lartësimin e sportit shqiptar në arenën ndërkombëtare, por dhe rrisin imazhin e Shqipërisë në botë.
Në këtë kontekst, kreu i Shtetit nënvizoi rëndësinë dhe kujdesin që institucioni i Presidentit të Republikës ka pasur dhe do të vijojë të ketë në vijimësi ndaj sportit dhe se do të jetë një derë e hapur për çdo sportist duke mbështetur çdo personalitet me kontribute pozitive që përcjell mesazhe pozitive për fushën së cilës i përket. Në përfundim të takimit boksieri Uldedaj i dhuroi Presidentit Nishani dorezat e tij të boksit me një mbishkrim personal.