AlbanianSport.com 19.02.2017 10:25
ASNN – Boksieri nga Shqipëria, Arjon Kajoshi, ka fituar turneun ndërkombëtar “Pavarësia 2017”, që u mbajt të shtunën në Pallatin e Rinis dhe Sporteve në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.
Ky turne, i 9-ti më radhë, është organizuar nga Federata e Boksit të Kosovës (FBoxK), kënaqi një numër të vogël shikuesish. Ndonëse ishin paraparë të zhvillohen 9 duele, megjithatë, shikuesit e këtij sporti panë vetëm 6 ndeshje.
Sipas mediave vendase, dy boksierë nga Mali i Zi farë nuk kishin udhëtuar për në kryeqytetin e Kosovës. Ky turne nisi me duelin mes Liridon Tahirit të Kosovës dhe Vuksan Gurit të Shqipërisë.
Ky duel dhuroi boks të kënaqshëm, edhe pse u mbyll pa fitues. Interesant ishte edhe duel mes Krenar Zenelit të Shqipërisë dhe Besfort Merlakut të Kosovës, duel të cilin e fitojë ky i fundit.
Dueli më joshëse ishte ai i kategorisë së peshës trupore 75 kg, midis Armend Nezirajt të Kosovës dhe Arjon Kajoshit të Shqipërisë. Boksieri nga Shqipëria u tregua më i mirë në ring, përvoja ishte në anën e tij, dhe në fund boksieri kuqezi iu gëzua fitores.
Juria e përberë nga Fatmir Makolli (Kosovë), Zef Gjoni (Shqipëri), Blerim Sahiti (Maqedoni), Gani Kosumi (Radio Kosova) dhe Fatmir Bytyçi (KosovaPress), zgjodhën më të mirët e këtij turneu.
Çmimi i boksierit më të mirë i takoi Arjon Kajoshit të Shqipërisë, boksieri më teknik u shpall Besart Kurhasku, çifti më luftarak Jasin Lama (Maqedoni)-Edmond Zefi (Kosovë), kurse, çmimin për “fair play” e mori Besfort Merlaku.