Me pjesëmarrjen e ekipeve më të mira të Shqipërisë si Vllaznia, Tirana, Partizani, Dinamo, Flamurtari, Teuta, Apolonia, apo dhe dy ekipet private Enea dhe Arena, nisi pasditen e djeshme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, Kampionati Kombëtar i Boksit për Nën-18-vjeçarët. Veprimtari kjo që, në fakt, në kalendarin e Federatës Shqiptare të Boksit ishte planifikuar të zhvillohej i shtrirë në 3 ditë, e premte dhe shtunë pasdite, si dhe të dielën paradite finalet.
Por me sa duket pjesëmarrja jo e plotë e ekipeve me boksierët e kërkuar në peshat përkatëse ka detyruar organizatorët ta ngushtojnë atë në dy ditë. Që do të thotë se pas ndeshjeve të para eliminatore të ditës së premte, paraditja e së shtunës është rezervuar që të ballafaqojë në ring boksierët finalistë të secilës peshë. Edhe pse në prononcimin e dhënë për “Sport Ekspres”, një ditë përpara veprimtarisë, trajneri i kuqebluve, Jozef Sermi, shprehej optimist për një prezantim absolut të boksierëve të tij në fakt nuk ka ndodhur kështu.
Ai deklaronte se do të ishin “kampionë” absolut, por shkodranët nuk e kanë nisur aspak mirë kur boksieri i tyre, Ndërvataj është mundur që në ndeshjen e parë të turneut për kategorinë e peshës trupore deri në 60 kg nga Roshi i Eneas me rezultatin 0-3. Interesante është se Vllaznia ka humbur sërishmi edhe në ndeshjen e peshës 69 kg kur përfaqësuesi i saj Demi është mundur po me 3-0 nga rivali i tij Buzi i Apolonisë. I vetmi sukses për vendasit ka qenë fitorja e boksierit Albert Kapaj, i cili, duke konkurruar në peshën deri në 91 kg, fitoi ndaj fierakut Andi Hoxhaj.
Ndërkohë ekipi më i mirë i kësaj dite eliminatore është paraqitur Arena, që me dy fitoret e regjistruara nga boksierët e tij, Isuf Roshi dhe Franc Killo, përkatësisht ne peshën e parë dhe të pestë e ka nisur mbarë kampionatin. Ekipi privat Arena ishte i vetmi ekip që fitoi dy ndeshje në ditën e parë, duke lënë prapa Vllazninë, Teuten, Flamurtarin, Partizanin, Dinamon, Apoloninë, Enean me nga një fitore. I vetmi ekip që nuk fitoi asnjë ndeshje në ditën e parë ishte Tirana, që në të dy ballafaqimet e kësaj dite boksierët e saj Koliqi dhe Kastrati dolën të mundur në duelet e tyre.
Kampionati Kombëtar
i Boksit – Të Rinj
Rezultatet e ditës së parë:
Pesha 60 kg Pal Ndërvataj (Vllaznia) – Isuf Roshi (Enea) 0-3
Pesha 60 kg Gëzim Tahaj (Flamurtari) – Denis Muça (Arena) fiton me TKO Muça
Pesha 64 kg Kris Bushi (Partizani) – Muhamet Mema (Teuta) 0-3
Pesha 64 kg Ilvi Menaj (Flamurtari) – Ardit Koliçi (Tirana) 3-0
Pesha 69 kg Franc Killo (Arena) – Suedi Zyberaj (Dinamo) 3-0
Pesha 69 kg Ariol Buzi (Apolonia) – Ingli Demi (Vllaznia) 3-0
Pesha 81 kg Kevin Kastrati (Tirana) – Elidon Jaku (Partizani) 0-3
Pesha 91 kg Albert Kapaj (Vllaznia) – Andi Hoxhaj (Apolonia) fiton me AB Kapaj
Pesha 91 kg Mikel Çullhaj (Dinamo) – Toni Dalipaj (Flamurtari) fiton me TKO Çullhaj