Gjergj Vyshka 22.01.2015 08:40
Boksieri junikas është tërhequr nga sfida pas raundit të nëntë. Haxhi Krasniqi ka humbur dje në mbrëmje shansin për t’u shpallur “kampion bote” në boksin profesionist, në versionin WBA. Ai është tërhequr në përfundim të raundit të 9-të në përballjen me gjermanin Jurgen Brahmer pas gjendjes së “nokdaunit” që kishte pësuar gjatë atij tre-minutëshi.
Sepse gjyqtari i ringut, amerikani Toni Ueks, ka qenë i detyruar që të numërojë, ndërsa më pas vazhdimi i ndeshjes ka qenë një epërsi e gjermanit, që tashmë e kishte vënë përpara boksierin shqiptar. Nëse deri në raundin e gjashtë gjendja ishte aty-aty, me një epërsi të lehtë të gjermanit në pikë 59-55, ajo që i vuri vulën ishte raundi i 9-të, atëherë kur Krasniqi u tërhoq.
Për rrjedhojë gjermani Brahmer ka fituar me “nokdaun teknik”, ndërsa kjo ishte humbja e 5-të e Krasniqit në 48 ndeshje të luajtura, si dhe disfata e “nokaut”. Ndaj dhe mbrëmja e djeshme e Rostokut s’mund të ishte kuqezi…