AlbanianSport.com 07.11.2014 10:40
ASNN – Pas Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar për fituesin e medaljes së bronztë në Kampionatin Evropian të Të Rinjve në boks, Jurgen Uldedajn, ka pasur një pritje në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Pikërisht titullarja e kësaj ministrie, Lindita Nikolla, e ka pritur dje në mesditë në mjediset e zyrës së saj Uldedajn, i cili u rendit në vendin e tretë të peshës 81 kg në Evropianin që u zhvillua nga data 17, deri më 26 tetor në Zagreb të Kroacisë.
Ministrja Nikolla, të paktën edhe sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, e ka përgëzuar Uldedajn për rezultatet e arritura në këtë Evropian, ndërsa i uroi suksese në veprimtaritë e radhës. Nga ana e tij, Presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Gjergj Leqejza, përgëzoi ministren Nikolla për riorganizimin e sportit në shkolla, sidomos për nismën e rritjes së orëve të edukimit fizik, si dhe për mënyrën e re te financimit të sportit.
Kjo është hera e dytë që Jurgen Uldedaj merr medaljen e bronztë në Kampionat Evropian, sepse përpara një viti ka qenë i treti në Rusi, tashmë në Evropianin e moshave 15-16 vjeç. Shqipëria u përfaqësua në Kampionatin Evropian të Të Rinjve në boks në Zagreb me sportistët Krenar Zeneli, Rexhildo Zeneli, Erald Muhja dhe Jurgen Uldedaj. Brenda dy viteve, Shqipëria e boksit ka arritur të fitojë rreth 12 Medalje ari dhe Argjendi në turne të ndryshëm ndërkombëtarë.
Kuqezinjtë e ringut kanë marrë edhe tre medalje bronzi në Kampionate Evropiane, dy prej Uldedajt dhe një prej sportistit Rexhildo Zeneli, në Kampionatin Evropian të Të Rinjve të vitit të kaluar në Holandë. Që tani Jurgen Uldedaj shihet si kandidat potencial për boksin shqiptar në Lojërat e Para Evropiane Olimpike, të cilat do të zhvillohen vitin e ardhshëm, në Baku të Azerbajxhanit, nga data 12, deri më 28 qershor.