AlbanianSport.com 16.04.2015 08:45
ASNN – Ekipi kombëtar i Shqipërisë në boks u ka dhënë fund përgatitjeve për turneun ndërkombëtar “Memorial Vllaznia 2015” që do të zhvillohet për 2 ditë me radhë, sot dhe nesër, më 16 dhe 17 prill, në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”, në Shkodër. Trajneri i kombëtares, Skënder Kurti, i cili prej disa ditësh, bashkë me boksierët, ka qenë i grumbulluar në Shkodër, ka folur për përgatitjet e boksierëve kuqezi. “Falënderojmë Federatën e Boksit, si dhe mikpritësit këtu në Shkodër për kushtet e mira që na kanë krijuar”, – ka deklaruar ai.
“Boksierët më të mirë janë grumbulluar dhe po stërviten intensivisht për t’u bërë gati për tre ditët e veprimtarisë, – ka vijuar Kurti. – Është një turne ku rivaliteti do të jetë i madh, sepse marrin pjesë ekipe shumë cilësore, të cilat në përbërje kanë boksierë medalistë në kampionate evropiane apo botërorë. Ndaj them se rivaliteti do të jetë i madh, por ne do të bëjmë maksimumin tonë. Sa u përket boksierëve, po kalojnë një formë të mirë sportive dhe kështu do të vijojë deri kur do të nisë ky turne.” Lidhur me pretendimet që ka Kombëtarja e Shqipërisë, Kurti thotë se do të kërkohen medalje.
“Boksierët tanë kanë bërë një emër të mirë dhe kanë arritur që të marrin medalje në veprimtari të ndryshme kudo ku kanë marrë pjesë. Tashmë edhe në këtë turne të rëndësishëm, ku vijnë shtete që kanë një nivel të lartë të boksit, pretendimet tona janë që të arrijmë të marrim medalje”, – ka përfunduar trajneri i kombëtares shqiptare të boksit, Skënder Kurti.