AlbanianSport.com 04.08.2015 18:25
ASNN – Florend Kalivopuli është zgjedhur presidenti i ri i Federatës Shqiptare të Boksit. Komuniteti i boksit i rikthehej procesit zgjedhor për herë të dytë pas asaj së Asamblesë të 11 qershorit 2015, të pezulluar për shkak të akteve të dhunës.
Në një atmosferë krejt ndryshe nga zgjedhjet e muajit qershor, dje procesi i zhvilluar në mjediset e Agjencisë së Shërbimit të Sportit vijoi normalisht, në fund të të cilit u dha edhe verdikti i 22 delegatëve me të drejtë vote.
Nga shpallja e rezultatit, Kalivopuli mori 15 vota ndaj 7 të Gjergj Leqejzës, deri dje president në detyrë. Votat e marra ishin të mjaftueshme për të mos e çuar procesin në raund të dytë sikurse ndodhi në asamblenë e mëparshme, ku votat u ndanë 10-10, ndërsa 1 ishte e pavlefshme.
Pas zyrtarizmit nga komisioni, Kalivopuli falënderoi ata që i besuan votën, njëherësh shtrëngoi dorën edhe me paraardhësin e tij Gjergj Leqejza, duke shuar kështu polemikat mes palëve.