AlbanianSport.com 24/05/2019 19:20
ASNN – Uatanabe, aktualisht kreu i Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës, është caktuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për të organizuar fazën kualifikuese të boksit, për në “Tokio 2020”. Për të kjo detyrë ishte e papritur por ai ka thënë se do të bëjë një analizë të veçantë të situatës më pas do të ndërtojë strategjinë. Kështu, IOC-ja ka caktuar Morinari Uatanabe nga Komiteti Olimpik Japonez për të drejtuar një ekip të posaçëm pune, që do të organizojë fazën kualifikuese të boksit në “Tokio 2020”.
Pasi Shoqatës Ndërkombëtare të Boksit Amator (AIBA) iu hoq e drejta e përfaqësimit në këtë Olimpiadë për shkak të parregullsive që iu gjetën nga auditimi. 60-vjeçari, aktualisht kreu i Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës, u tha gazetarëve në një konferencë shtypi në Tokio se, kjo detyrë ka ardhur në mënyrë të papritur për të. “Isha në një darkë kur papritur në telefonin tim u paraqit (kodi i vendit) 44, – ka rrëfyer ai. – Po pyesja se kush ishte dhe ishte presidenti (Tomas) Bah!”
“Ai më njoftoi se isha caktuar kryetar i grupit të punës për të përgatitur fazën kualifikuese të boksit, – ka vijuar japonezi. – Më pëlqen kjo sfidë pasi nuk dua që të ketë sportistë që vuajnë si pasojë e keq-qeverisjes së federatave të tyre. Është detyrë e një anëtari të IOC-së për t’i mbështetur ata.” Uatanabe tha se nuk kishte fare kohë, e për të organizuar turneun kualifikues sa më shpejt, tha me shaka se nuk do të ketë shumë kohë për të fjetur.
I pyetur se cila ishte strategjia e tij, ai u përgjigj: “Më thanë vetëm një ditë më parë. Në këtë moment, kaq shumë gjëra janë ende të paqarta. Më duhet të bëj një analizë të plotë për të ndërtuar një strategji të qartë.”