AlbanianSport.com 01/05/2020 20:10
ASNN – Ditë më parë, Federata Ndërkombëtare e Boksit Amator (AIBA) mori vendimin që Botërori i vitit 2021 të mbahet në Beograd. AIBA ia mori të drejtën e organizimit Indisë dhe vendosi që kryeqendra e Serbisë të jetë organizatore. Megjithëse për momentin mund të duket paksa utopike në pamje të parë, për shkak të rrethanave gjeopolitike, në Beograd synon të marrë pjesë edhe përfaqësuesja e Kosovës. Federata e Boksit të Kosovës (FBOXK) të premten përmes një komunikate ka thënë se në Beograd do të paraqitet me flamurin dhe me himnin e shtetit.
“Kombëtarja e Kosovës në boks do të paraqitet për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror të vitit 2021 në Beograd me 3 apo 4 boksierë”, thuhet në komunikatën e organizmit që qeveris “dorezat” në Kosovë. – Besojmë dhe shpresojmë që Kosova do të paraqitet me flamur dhe himn të shtetit në këtë kampionat, për arsye se FBOXK me kohë do të dërgoj letrat me emrat e anëtarëve të ekipit të Kosovës në AIBA.” Natyrisht, nëse synimi i federatës kosovare realizohet atëherë do të niste epokë e re në raportet mes dy shteteve.
Deri më tani sportistët kosovarë nuk janë lejuar të garojnë në territorin e Serbisë. Kishte përpjekje për një gjë të tillë nga hendbollistet dhe karateistët, por pa sukses. Hendbollistet e reja kishin zhvilluar një stërvitje në territorin e Serbisë, por më pas ishin organizuar protesta. Më pas u vendos që Kosova mos të lejohej të luaj. Ndërkohë karateistët nuk janë lejuar fare të hyjnë në territorin e Serbisë. Edhe një boksiere e re e Kosovës, nuk ishte lejuar të konkurronte vjet në Botërorin e të Boksit të Të Rinjve dhe Të Rejave në Indi, sepse kjo e fundit nuk e njeh Kosovën.