AlbanianSport.com 14.03.2017 08:50
ASNN – Në Berat, prej më shumë se 18 vjetësh, zhvillohet kampionati lokal i boksit. E kjo është në bashkëpunim mes klubit shumësportësh “Tomori” dhe ish-kampionit të viteve 1992-1994, Gentian Bega, që prej më shumë se dy dekadash është promotor për këtë kampionat lokal. Në thelb ky kampionat është edhe si përzgjedhje e elementëve që më pas do të vijojnë të ushtrojnë boksin për Tomorin. Madje në këtë kampionat evokohen disa nga emrat më të njohur të boksit beratas dhe atij shqiptar.
E jo vetëm kaq, por ky kampionat lokal i boksit në Berat është dhe një reklamë për bizneset, që do të sponsorizojnë këtë garë në qytetin muze. Ata falë dashamirësisë së tyre e kanë financuar pa u kursyer këtë garë lokale në sportin e dorezave. Sikundër një evokim. Dhe për mediat sportive lokale, kryetrajneri i Tomorit, Gentian Bega, do të deklaronte: “Zakonisht tradita e 18-të kampionateve lokale në boks ka qenë e atillë që e bënim në fund të dhjetorit.”
“Dhe për të parën herë kemi vendosur që edicionin e 19-të ta zhvillojmë në muajin mars dhe më konkretisht në datën 21 të këtij muaji, – ka vijuar ai. – Risia është se, ndryshe nga 18 edicionet e mëparshme, që i kemi zhvilluar në Palestrën e Boksit “Blenard & Hasan”, kemi vendosur që ta zhvillojmë në sheshin qendror të qytetit duke e vendosur aty ringun. Një tjetër veçanti se ky kampionat i 19-të lokal i boksit do të quhet Kupa “Erzeni”, ndërsa president është Isuf Bega, një adhurues dhe mbështetës i sportit.”
“Në veprimtarië që do të zhvillohet në sheshin “Republika” kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre kryebashkiaku Petrit Sinaj dhe të gjithë deputetët e Beratit pa asnjë dallim përkatësie politike, – ka vijuar trajneri i dorezave beratase, Gentian Bega. – Dhe për mua dhe boksierët amator, të cilët do të jenë e nesërmja e Tomorit, është një përgjegjësi shumë e madhe. Madje deklaroj se në këtë aktivitet do të marrin pjesë më shumë se sa 2000 shikues.”