Gjergj Vyshka 01.11.2014 10:40
Fituesi i medaljes së bronztë në Zagreb rrëfen emocionet e tij e ngjitjes në podium: “Me një stërvitje të rregullt dhe intensive kam besim se do të marr përsëri medalje”. Jurgen Uldedaj ka rrëfyer për “Gazetën e Sportit” emocionet e medaljes së bronztë në Zagreb të Kroacisë gjatë Kampionatit Evropian të Të Rinjve. Uldedaj është nga ata boksierë që gjithnjë sjell medalje nga arena ndërkombëtare.
Ka premtuar një të tillë dhe në Botëror, por më pas dhe kualifikimin në Lojërat Olimpike. Sigurisht që e sheh dallimin me të tjerët, por asnjëherë nuk i ka shkuar ndërmend që të konkurrojë për një vend tjetër. Dhe duke i bërë thirrje të gjithëve për më shumë vëmendje ndaj boksit, sidomos shtetit, Uldedaj ka premtuar të tjera ngjitje në podiumin e medaljeve.
Ka falënderuar trajnerët e kombëtares Jozef Sermin, Zef Gjonin dhe Gëzim Zenelin, pa harruar këtu dhe atë të Tiranës, Sead Bushati. Kjo është intervista e tij për të përditshmen sportive shqiptare, “Gazeta e Sportit”, të cilën AlbanianSport.com do t’jua sjellë në dy pjesë dhe sot është pjesa e parë, ndërsa pjesa e dytë do të botohet nesër.
– Çfarë ndodhi në kampionatin më të fundit evropian, apo ndryshe në aktivitetin ndërkombëtar të boksit. Cilët ishin kundërshtarët dhe ecuria e ndeshjeve?
– Në Kampionatin Evropian të të rinjve në boks morën pjesë 43 shtete me një nivel përfaqësimi rreth 240 boksierë. Kishte një rivalitet të lartë, atje ku shumë shtete janë përfaqësuar në të gjitha peshat. Shqipëria u përfaqësua me katër boksierë, të cilët ishin Rexhildo Zeneli, Erald Muhja, Krenar Zeneli dhe unë. Çdo peshe kishte një përfaqësim me rreth 25 boksierë. Unë kam garuar si gjithmonë në peshën 81 kg. Në këtë peshë merrnin pjesë 28 boksierë, të cilët ishin kampionë olimpikë, kampionë bote dhe Evrope. Sigurisht që pretendimet e mia kanë qenë për t’u futur në zonën e medaljeve. Dua të theksoj se shorti nuk ishte bujar me mua, pasi në ndeshjen e parë kisha përballë kampionin në fuqi të Evropës, azerbajxhanasin Orkhan Alijev. Kurse në ndeshjen e dytë kam boksuar me nënkampionin e Evropës, polakun Maciej Zurakovski. Me këto dy fitore të vështira, të cilat janë me rezultat të pastër 3-0, sigurova kalimin në gjysmëfinale dhe futjen në zonën e medaljeve. Në gjysmëfinale u përballa me pjesëmarrësin në Lojërat Olimpike në Pekin, norvegjezin Vegar Tregren, i cili ishte njëkohësisht dhe kampion në vendin e tij. Ishte një ndeshje shumë e fortë, që e kam humbur vetëm me një pikë diferencë. Si përfundim mund të them se ecuria e ndeshjeve të mia ishte në rritje, ndërsa kundërshtarët realisht shumë të fortë. Isha përgatitur shumë për këtë aktivitet, kjo dhe falë punës së trajnerit tim tek Tirana, Sead Bushati. Por mbi të gjitha dhe punës së trajnerëve të ekipit kombëtar Jozef Sermi, Zef Gjoni dhe Gëzim Zeneli. Në këtë kampionat kam shkuar me sigurinë e plotë se do të isha në finale.
– Cilat janë sukseset e deritanishme tuaja në fushën e boksit dhe çfarë medaljesh keni marrë në arenën ndërkombëtare? Po në Shqipëri cilat janë arritjet tuaja?
– Referuar ndeshjeve të boksit të zhvilluara kam raporte të drejta në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Sa për statistikë, unë kam marrë pjesë në Kampionatin Kombëtar të kadetëve dhe të rinjve, atje ku jam shpallur kampion kombëtar për të dy kategoritë, ndërsa kam realizuar vetëm fitore dhe asnjë humbje. Në dy vite radhazi kam marrë dhe Kupën e boksierit më të mirë. Që në moshën 15-vjeçare kam marrë pjesë në arenën ndërkombëtare, teksa kam konkurruar në dy kampionate Evropiane dhe dy kampionate Botërore. Kam zhvilluar 10 ndeshje ndërkombëtare me një bilanc pozitiv 7 fitore dhe 3 humbje. Në dy kampionate Evropiane kam marrë medalje bronzi.
– Çfarë dallimi ka mes garave kombëtare dhe ndërkombëtare në ring? Ku e keni dalluar ndryshimin dhe, përveç rivalëve, çfarë keni konstatuar tjetër?
– Sigurisht që dallimet janë të mëdha duke iu referuar dhe zhvillimeve që ka marrë boksi në Evropë dhe Botë. Dallimet janë lehtësisht të evidentuara, që kanë të bëjnë me nivelin dhe cilësinë e pjesëmarrjes dhe të përfaqësimit të boksierëve tanë. Ka pasur aktivitete ndërkombëtare në të cilat ne jemi përfaqësuar me 1 ose 2 boksierë, ndërsa shtetet e tjera kanë qenë të përfaqësuar plotësisht në të gjitha peshat. Duhet theksuar edhe fakti se ecuria e boksit për të rinj ka një rritje të dukshme nga viti në vit dhe kjo falë dhe kujdesit të Federatës Shqiptare të Boksit. Por ende ka një dallim të dukshëm me veprimtaritë në nivelet ndërkombëtare. Kjo ka të bëjë me kushtet e stërvitjes dhe shkallën e vlerësimit të këtij sporti në vend, i cili është në nivelet e kërkuara në raport me mundësitë që ofron në realitet shteti shqiptar. Personalisht më është dashur të bëjë thellësisht një stërvitje të diferencuar për t’u përballuar në ndeshjet ndërkombëtare. Një e veçantë e këtij kampionati është zhvillimi i tij në Ballkan, pikërisht në Zagreb, atje ku prezenca e shumë shqiptarëve më detyruan për ta përfaqësuar denjësisht flamurin shqiptar. Jo vetëm kaq, por dhe pasqyrimi në media dhe në rrjetet sociale nga gazetarja
Lili Koçi, si dhe mbështetja e stafit të ekipit të Kosovës dhe e dy klubeve Tirana dhe Vllaznia ishte një veçori shumë mbresëlënës. Pa përmendur këtu mbështetjen e vazhdueshme të nxënësve të kolegjit “Turgut Ozal”.
Vijon nesër…