Mbrëmjen e së premtes nisi në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”të Shkodrës, Turneu i 13-të Ndërkombëtar i Boksit “Memorial Vllaznia 2016”, veprimtari kjo tashmë e përvitshme dhe e shndërruar në tradicionale për “dorezat” shqiptare në nderim të ish-boksierëve shkodranë që nuk jetojnë më.
33 boksierë, përfaqësues të 7 shteteve pjesëmarrëve, Bullgarisë, Kazakistanit, Ukrainës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë nisen ballafaqimet e ditës së parë, me një kalendar që përmbante 6 ndeshje. Për kombëtaren tonë kuqezi, që drejtohet nga trajnerët Zef Gjoni (Vllaznia), Skënder Kurti (Tirana) dhe Jani Nano (Teuta), starti i këtij memoriali ishte me dy fitore dhe dy humbje.
Në fakt starti nuk ishte i mirë, kur në dy ndeshjet e para, për llogari të peshës deri në 52 kg, Klevis Vrapi dhe Ardit Murja u mundën respektivisht me rezultatin 3-0 nga Aleksandar Aleksandrov i Bullgarisë dhe Azamat Isakulov i Kazakistanit.
Por buzëqeshja ka ardhur në dy ndeshjet e fundit, atë të peshës 75 dhe mbi 91 kg me dy fitoret e boksierëve shkodranë, Arjon Kajoshi dhe Nelson Hysa, të cilët fituan ndaj kundërshtarëve të tyre.
Kajo mundi me rezultatin 2-1 bullgarin Anton Dimitrov ndërsa Hysa fitoi me tërheqje ndaj boksierit të kombëtares shqiptare, Melkaid Paluca.