Gjergj Vyshka 20.03.2015 17:40
Sfiduesi nga Juniku, Haxhi Krasniqi, pret me padurim duelin e së shtunës, ndërsa dëshmon se është i gatshëm për titull bote. Boksieri shqiptar, Robin (Haxhi) Krasniqi është shprehur i gatshëm për sfidën e tij të shtunës me kampionin e versionit, WBA të peshës gjysmë të rëndë. “Ky është dueli më i rëndësishëm i jetës sime. Një fitore të shtunën do të ndryshonte çdo gjë për mua”, – tha Krasniqi. Ai foli edhe për sfidën e humbur më herët për titull bote me Nejtën Kleverlin, më 2013-tën.
“Ai rast kishte ardhur shumë herët për mua, por tani jam i gatshëm”, – tha junikasi. Dy boksierët do të ndeshen të shtunën në ringun e Rostokut për titullin e versionit WBA të peshës gjysmë të rëndë. Robin Krasniqi dhe Jurgen Brehmer janë takuar për herë të fundit para gazetarëve, para daljes së tyre në ring të shtunën në mbrëmje në Rostok të Gjermanisë. Përballja e tyre vlen për titullin WBA të peshës gjysmë të rëndë. Brehmer mbron titullin për herë të katërt.
“Krasniqi është boksier i ri dhe ambicioz që dëshiron të marrë titullin nga unë, por kjo nuk do të ndodhë. Si gjithmonë do ta mposht kundërshtarin dhe do ta mbroj titullin”, – tha gjermani. Por organizatori i duelit, Krasniqi-Brehmer është shprehur kundër shanseve të junikasit për titull bote. Kalle Sojerland i ka minimizuar mundësitë që duelin e së shtunës në mbrëmje në Rostok të Gjermanisë për titullin WBA të peshës gjysmë të mesme ta fitojë kosovari.