Trajneri Gjoni: “Presidenti Kalivopuli ka premtuar për ato që kualifikohen për në Lojërat Olimpike një hyrje falas në Durrës”. Në prag të Kampionatit Evropian të Boksit, trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Zef Gjoni, është shfaqur optimist. Sipas tij ndryshimi i presidencës do të sjellë suksesin në boksin shqiptar, ndërsa përfaqësuesja e “dorezave” është në përgatitjet e fundit përpara nisjes për në Sofje të Bullgarisë.
Pasi kanë konsumuar një grumbullim dhjetëditor në piken turistike të Razmës, boksierët nën drejtimin e trajnerit Zef Gjoni dhe ndihmësve të tij Skënder Kurti e Jozef Sermi kanë kryer dhe disa seanca stërvitore në Shkodër. Prishja e palestrës së boksit për shkak të rikonstruksionit të stadiumit “Loro Boriçi” e ka detyruar skuadrën kuqezi që të stërvitet në Shkodër në kushte jo optimale.
Megjithatë për kryetrajnerin e boksit, Zef Gjoni, boksierët shqiptar Kristian Demaj dhe Astmer Bilali të Vllaznisë përkatësisht në pesha 91 dhe 75 kg, Albi Sorra i Tiranes në peshen 69 kg dhe Krenar Zeneli i Flamurtarit në peshën 56 kg do të bëjnë një prezantim dinjitoz në kampionatin Evropian. Madje, sipas tij, në pritshmërinë e rezultateve pozitive të kombëtares shqiptare do të ketë pjesën e vet edhe motivimi që presidenti i ri i boksit Florend Kalivopulli ka përcjellë tek boksierët kuqezi.
Ja dhe intervista e trajnerit Zef Gjoni për të përditshmen më të vjetër sportive shqiptare, “Sport Ekspres”, që AlbanianSport.com jua sjell këtu.
– Diçka mbi përgatitjet e fundit të Evropianit ?
– Atëherë po ia fillojmë nga kjo palestër e vogël ku stërvitet ekipi kombëtar dhe Vllaznia. Është palestra e cila ka nxjerrë legjendat e boksit shqiptar. Janë ndër më të mirët, sidomos pas viteve 1990, kohë në të cilën rilindi boksi shqiptar. Këtu mund të përmendin Gavoçin, Limanin, Gjeten, Kuqin, Isajin, Drinin, Makën, Bushatin, Buliqin, etj. Ndërkohë që tani, me problemet që na u krijuan në shembjen e palestrës për arsye të punimeve në stadiumin “Loro Boriçi”, na u desh t’i rikthehemi përsëri këtij ambienti modest deri sa të ndërtohet palestra e re.
– Sa i kënaqur jeni me procesin stërvitor?
– Me të thënë të drejtën nuk jam aspak i kënaqur për këtë pikë, pasi gjatë kësaj periudhe të grumbullimit të kombëtares as Federata dhe as presidenti, që tashmë u largua, nuk kanë qenë të preokupuar për ta vlerësuar këtë kampionat Evropian, aq më tepër se ky aktivitet është edhe kualifikues për kampionatin botëror. Megjithatë ne me presidencën e Shkodrës, Hoxha-Livalli, bëmë të mundur zhvendosjen e ekipit kombëtar për dhjetë ditë në Razëm. Ndërkohë që presidenti aktual Kalivopuli bëri të mundur pjesën tjetër të stërvitjes për dhjetë ditë në Shkodër. Po shkojmë në Evropian me vetëm 20 ditë stërvitje.
– Si është forma sportive e boksierëve?
– Koha dhe kushtet për një përgatitje cilësore ishin të pamjaftueshme, por gjithsesi me seancat e fundit të zhvilluara në Shkodër gjendja e tyre ka ardhur në nivele pozitive dhe për këtë shpresojmë të kemi rezultat të mirë.
– Te cilët prej boksierëve keni më tepër besim për fitore?
– Për hir të së vërtetës forma sportive e Kristian Demës është e mirë, po ashtu edhe e Zenelit e Bilalit. Por në kësisoj aktivitetesh shpeshherë ka të bëjë edhe shorti, pasi ndoshta aty ku pretendon të bie të ndeshesh që në raundin e parë me kampionin e botës duke e vështirësuar pretendimin.
– Presidenti i ri çfarë ofron për boksin shqiptar?
– Presidenti i ri, Florend Kalivopuli, që në takimin e parë ka ardhur me objektiva dhe premtime konkrete, atje ku pikërisht, referuar veprimtarisë aktuale të Kampionatit Evropian të Bullgarisë, ka ofruar një shpërblim mjaft motivuese për boksierët. Në rast kualifikimi në Olimpiadë, Kalivopuli i ka premtuar çdo boksieri një shpërblim të mirë duke i dhuruar nga një hyrje falas në plazhin e Durrësit. Ky është premtimi i parë, ndërkohë që edhe për kampionët kombëtarë, boksierët e ekipit kombëtar dhe stafin teknik ka ofruar të tjera shpërblime financiare private nga ana e tij.