AlbanianSport.com 13/03/2019 22:00
ASNN – Boksierja e njohur shkodrane, Elsidita Selaj, ka bërë një paraqitje të mrekullueshme në Kampionatin Evropian të moshës deri në 22 vjeç, duke fituar medaljen e bronztë. Selaj është një fenomen në rritje i ringut shqiptar të femrave dhe po korr suksese ndërkombëtare, kështu që medalja e fundit e saj në Rusi është dëshmi e një prezantimi të qëndrueshëm dhje me mjaft klas në ringun profesionist.
Në fakt, gara për medaljen e afërt vijon, pasi e bronzta është siguruar edhe me kaq, pra edhe sikur Selaj ta humbasë duelin e radhës. E thënë ndryshe, boksierja shkodrane po vijon marshimin në peshën e saj dhe mund të pretendojë edhe medaljen e artë, pavarësisht se pranohet dhe nga stafi i saj se arritja e medaljes së artë është shumë e vështirë.
Në kalendar, duelin e radhës Selaj do ta ketë me një boksiere vendase, domethënë ruse, dhe gara për të bëhet shumë e vështirë. Megjithatë, 18-vjeçarja e talentuar shqiptare, që drejtohet nga trajneri Jetmir Kuçi, ka synime madhore për më të mirën në këtë Evropian. Edhe pse në moshë fare të re, Elsidita Selaj po shkruan histori në ringun ndërkombëtar dhe kjo është shenjë e mirë që ky sport po njeh suksese jo vetëm tek meshkujt, por edhe tek femrat.