Gjergj Vyshka 11.03.2015 19:50
Boksi shqiptar duket se vazhdon modën e asambleve të jashtëzakonshme sa herë presidenti i Federatës nuk është më i pëlqyer nga komuniteti. Kështu po ndodh ditët e fundit, ndërsa prej muajsh trajneri i Vllaznisë, njëkohësisht dhe trajneri i kombëtares, Zef Gjoni, ka paralajmëruar largimin e Gjergj Leqejzës dhe ardhjen e Kalidhopulit president.
Të paktën kështu konfirmojnë burime të sigurta, ndërsa me firmat e të gjithë anëtarëve të kryesisë, një pjesë e mirë e të cilëve janë nga Shkodra, është kërkuar dhe thirrja e mbledhjes së kryesisë për vendosjen e datës së asamblesë. Në fakt boksi duhet të kishte bërë analizën e saj vjetore, të cilën për herë të fundit e kishte mbledhur më 28 janar të vitit të kaluar.
Por edhe pse është thënë se fundi i muajit mars do të sjellë dhe analizën vjetore një datë e tillë nuk është caktuar. Përkundrazi në Federatën Shqiptare të Boksit janë duke u bërë përgatitjet për aktivitetet kombëtare e ndërkombëtare, ndërsa më kryesori është Memorial “Vllaznia”, i njohur tashmë si veprimtari nga ndërkombëtarët. E megjithatë gjërat nuk duken krejtësisht të qeta.
Kjo sepse paralajmërohet dhe pritet një asamble e jashtëzakonshme, e cila duket se do të sjellë një president të ri për boksin shqiptar. I tillë që të plotësojë gjithnjë kërkesat në rritje të komunitetit, sidomos në anën financiare.