AlbanianSport.com 05/06/2018 20:10
ASNN – Kampionatin Evropian i Boksit për Të Rritur, që mbahet në Sofje të Bullgarisë do të nisë të martën (sot) dhe do të përfundojë më 12 qershor 2018. Për boksieren më të mirë të Kosovës, Donjeta Sadiku, ky është evropiani i parë që do të marrë pjesë si e rritur, por, megjithatë, ajo shpreson të fitojë medalje.
Sadiku që garon në kategorinë e peshës trupore deri në 60 kilogramë, ka qenë në kampin përgatitor në Sofje që nga 21 maji. “Trajneri Besim Brahimi është i kënaqur me formën e Donjeta Sadikut, – thuhet në një deklaratë për shtyp të lëshuar të hënën nga Federata e Boksit e Kosovës (FBOXK).
“Brahimi shpreson se Donjeta do të kthehet me medalje nga ky Kampionat Evropian, – vijon më tej deklarata në fjalë. – Për Donjetën është viti i parë në nivelin e të rriturave.” Deri vitin e kaluar, Sadiku ka marrë pjesë në kategoritë e të rejave dhe, në vitin 2015, ka dalë nënkampione e botës.
Për të reja, boksierja e kosovës ka dalë edhe kampione e Evropës në vitin 2016, kurse vitin e kaluar zuri vendin e dytë. “Këtë vit presim të vazhdojë me suksese edhe në kategorinë e të riturave dhe të nderohet me medalje evropiane”, – thekson më tej organizmi që qeveris dorezat në Kosovë.
“Do të jetë konkurrencë e fortë, sepse do të marrin pjesë një numër i madh i boksiereve, ngaqë pikët që do t’i fitojnë kanë vlerë për normë olimpike për “Tokio 2020””,- përfundon deklarata e FBOXK-së.