AlbanianSport.com 22/09/2019 17:00
ASNN – Mjeku: Boksieri vdiq nga arresti kardiak, bullgari humbi jetën pas ndeshjes me shqiptarin Murja. Ishte menduar të kthehej në feste, por turneu i boksit profesionist “Shkodra Boxing Night”, nuk ka shkuar ashtu siç ishte parashikuar. Kjo, pasi publiku i shumtë që kishte ardhur për të ndjekur ndeshjet profesioniste është ballafaquar me një ngjarje të rëndë.
Gjatë boksimit në ring përballë durrsakut Ardit Murja, boksieri bullgar Isus Velçkov ka humbur ekuilibrin dhe më pas është rrëzuar në ring. Megjithë ndihmën e shpejtë dhënë nga stafi mjekësor shqiptar dhe ai bullgar, ai ka ndërruar jete. Për mjekun e garës, Xhino Pinari, vdekja e boksierit bullgar ka ndodhur si pasojë e një arresti kardiak dhe jo nga goditjet e marra nga kundërshtari.
Lidhur me ngjarjen në fjalë, u fol se autoambulanca ka mbërritur me vonesë, për ta transportuar në spital boksierin, por mjeku Pinari nuk është i këtij mendimi. Përkundrazi ai thekson edhe njëherë se masat nga organizatorët ishin marrë të gjitha. Ndërkohë, për ta ndërlikuar edhe më tepër këtë çështje, pas kësaj ngjarjeje u zbulua një skandal i vërtetë, pasi sportisti që u nda nga jeta ishte me identitet të rremë.
Ai nuk ishte Isus Veliçkov ashtu sikurse u deklarua fillimisht, por Boris Stançov, i cili bënte ndeshje me dokumentet e kushëririt të tij Veliçkov. Kjo ngjarje ka nxjerrë zbuluar një rrjet të madh mashtrimi nga trajneri, menaxheri dhe vetë me sa duket “Unioni i Boksit Bullgar”. Në fakt, pre e mashtrimit pati rënë edhe Këshilli Botëror i Boksit (WBC), që i pati shprehur fillimisht ngushëllime familjes së Isus Veliçkovit.