Dita e tretë e finaleve të Turneut Ndërkombëtar të Boksit “Memorial Vllaznia 2016”, që u mbyll të dielën në Shkodër, pati edhe një mysafir të veçantë. Ai ishte ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, Dirmitar Arnaudov, i cili i shoqëruar nga “Presidenti i Nderit” i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, por dhe babai i kampionit të botës në mundje, Elis Guri, Eljazi, që është një veteran i mirënjohur i mundjes klasike shqiptare, ndoqi ndeshjet përkrah presidentit të Federatës Shqiptare të Boksit, Florind Kalivopulli.
Në një prononcim për mediet, menjëherë pas përfundimit të veprimtarisë, ai u shpreh shumë i kënaqur për organizimin e turneut, si dhe për rolin që ai ka në përgjithësi në miqësinë mes popujve. “Është e padiskutueshme që kështu është prej kohësh, është thënë se sporti është një çështje që i bashkon dhe i miqëson njerëzit, – ka thënë Ambasadori Bullgar në Shqipëri. – Nuk ka shumë rëndësi se kush ka fituar dhe kush ka humbur, por kryesorja është që në vendet pjesëmarrëse ka larmi dhe dëshirë për miqësi.”
“Sporti është një disiplinë që edukon njerëzit dhe që ndihmon që të kapërcejmë paramendimet e vjetra dhe të sillemi njeri me tjetrin me sinqeritet, – ka vijuar Arnaudov. -Kjo është me shumë rëndësi në ditët tona kur jo vetëm Ballkani dhe Evropa, por tërë bota përjetojmë një krizë globale. Në këtë kuadër unë dua të përshëndes organizatorët shqiptarë të këtij turneu, të cilët punojnë me këtë veprimtari, që të promovojnë këto vlera të përgjithshme njerëzore dhe të promovojnë bashkëpunimin dhe miqësinë midis popujve. Dhe ky turne është pikërisht në këtë kuadër.”
Duke ia vënë në dukje se Bullgaria ka në gjirin e saj një “kampion bote” në mundjen klasike si Elis Guri, i cili është nga ky qytet, Shkodra, që organizon këtë veprimtari, ai u përgjigj: ”Pikërisht kjo që ju thatë tregon atë që thashë pak më parë që sporti i miqëson njerëzit, sporti i disiplinon njerëzit që të harrojnë paramendimet e vjetra dhe të mendojmë për të ardhmen”.