AlbanianSport.com 01/01/2018 14:30
ASNN – Boka Zhunjors shkëlqeu këtë sezon të Kupës Libertadores, teksa eliminoi në gjysmëfinale mbrëmë skuadrën braziliane të Palmeirasit. Ndeshja përfundoi në barazim 2-2, por argjentinasit kishin fituar duelin e parë gjysmëfinal 2-0. Në finale e madhe të kësaj veprimtarie do të kemi një “Klasike” argjentinase, sepse Boka Zhunjors do të përballet me rivalen e saj të përjetshme në Argjentinë, River Plejt.
Kjo e fundit eliminoi në gjysmëfinale kampionen në fuqi të Kupës “Libertadores”, skuadrën braziliane, Gremion. Do të jetë një finale me dy takime, sepse i tillë është formati i kësaj veprimtarie dhe kjo e bën akoma më të ndjekur finale e “Libertadores”, një veprimtari që është e ngjashme me Ligën e Kampioneve. Në fakt, një finale e gjitha midis këtyre dy skuadrave luhet për herë të parë në historinë e kësaj Kupe.
Takimi i parë, do të luhet në datën 7 nëntor në fushën e Boka Zhunjorsit, ndërkohë që në datën 28 nëntor, luhet ndeshja e kthimit në fushën e River Plejtit. Në këto dy ndeshje finale, nuk ekziston rregulli i golit në fushë kundërshtare dhe ndryshe nga gjysmëfinalet, ku nuk luhet koha shtesë në rast barazimi, por direkt goditjet e 11-metërshave, në finale do të ketë edhe kohë shtesë, gjithmonë nëse rezultati do të jetë i barabartë
Pra, futbolli në Amerikën e Jugut po tërheq një vëmendje të madhe në këtë moment, sepse në finale e Kupës “Libertadores” do të jenë dy gjigandët e futbollit argjentinas, me tifozerinë e tyre të “çmendur”, një “Klasike” e madhe e futbollit latin.