Gjergj Vyshka 28.09.2014 22:55
Kamza-Veleçiku është e vetmja ndeshje e Kategorisë së Parë në grupin e Veriut që dje nuk është zhvilluar. Dhe pse skuadrat janë bëra gati, teksa koplikasit e Kreshnik Krepit kanë udhëtuar drejt Kamzës për të luajtur ndeshjen e parë, gjithçka është anuluar nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Madje kanë qenë të gatshëm dhe gjyqtarët nga Tirana me kryesor Besnard Kaimi, vëzhguesi Xhavit Zajmi dhe delegati i Federatës Shqiptare të Futbollit, Petrit Brahja. Arsyeja e anulimit të ndeshjes është mospagesa e detyrimeve në FSHF nga Kamza, si dhe mosmarrja përsipër e forcave të rendit për ndeshjet në Kamëz.
Të gjitha këto nuk bëjnë gjë tjetër, veçse ia humbasin ndeshje në “tavolinë” Kamzës, 0-3, e cila kështu e nis kampionatin në mënyrën më të keqe të mundshme. Nëse sezonin e kaluar Federata Shqiptare e Futbollit pati toleruar përpara faktit të mbylljes së dyerve të stadiumit nga Bashkia, teksa pat përsëritur ndeshjen Kamza-Luftëtari, këtë herë ka qenë e fortë në kërkesat e saj.
Klubet deri në fund të kësaj jave duhet të kishin paguar 50 % të detyrimeve, si dhe të sillnin letrën e sigurisë nga policia. Kamza nuk ka bërë as njërën e as tjetrën, ndaj dje nuk ka zbritur në fushën e lojës. Dhe kjo nuk është aspak normale për periferikët e kryeqytetit.