AlbanianSport.com 17.01.2016 13:45
ASNN – Biletat e ndeshjeve të Kombëtares në finalet e Euro 2016 janë bërë shkak për polemika mes grupimit “Tifozat Kuq e Zi” dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Këta përkrahës të përfaqësueses i kanë bërë kërkesë FSHF -së t’i mundësojë sigurimin e një numri të caktuar biletash, që të mbështesin skuadrën në Francë, si mënyrë për t’i njohur edhe kontributin e dhënë në 12 vite.
“Tifozat Kuq e Zi” në deklaratën e tyre shkruajnë se nuk mund t’ia realizojnë këtë kërkesë, pasi më parë duhet të regjistrohen në klubin e ngritur nga federata, që krijon lehtësira. Ndërkohë, në një sqarim të saj, FSHF deklaron se të gjithë tifozët janë njëlloj, por shpërndarja e biletave është një ekskluzivitet i UEFA -s dhe prenotimi i tyre mund të bëhet vetëm në adresën zyrtare të internetit.
Në sqarimin e saj, Federata shkruan se rregullat e UEFA -s i japin prioritet për t’u pajisur me bileta, anëtarëve të klubeve zyrtare të federatave përkatëse, siç është klubi “Tifozët e Kombetarës” i ngritur së fundi nga FSHF. Kombëtarja pritet që të përkrahet nga një numër i madh tifozësh verën e ardhshme në ndeshjet e Euro 2016.