AlbanianSport.com 24/06/2020 22:10
ASNN – Gjyqtari bën me dorë nga pika e bardhë në favor të Bylisit, por e anulon vendimin në mënyrë të pashpjegueshme. Në fakt, futbollit shqiptar nuk i kanë munguar asnjëherë çudirat, por ajo që ndodhi në fund të pjesës së parë të përballjes Skënderbeu-Bylis, ishte e rrallë në llojin e vet.
Në një pozicion të favorshëm dhe ku kishte fushëpamje të qartë, gjyqtari Enea Jorgji nuk heziton dhe bën me dorë nga pika e bardhë, pas pengimit në zonën korçare të futbollistit të ballshiotëve, Mëllugja. Protestojnë korçarët, por bilbili që mban stemën e FIFA-s nuk tundet nga istikami, edhe pse përsëritjet televizive tregojnë se ishte mbrojtësi vendas që largon topin.
E teksa gjithçka bëhet gati për ekzekutimin e 11-metërshit, gjyqtari Jorgji, i cili pozicionohet, ndonëse në krahun e gabuar, ka një komunikim në kufje dhe në mënyrë të papritur, e anulon vendimin e tij, edhe pse kishte në dispozicion plot 2 minuta e gjysmë për t’u konsultuar me ndihmësit e tij për vlefshmërinë e veprimit që kishte bërë.
Ajo që ndodhi më pas ishte e pritshme, teksa plas rrëmuja dhe, teksa ishin akorduar vetëm 2 minuta shtesë, pjesa e parë arrin të mbyllet vetëm pas 7 minutash. Dhe pyetja njëmilionëdollarëshe ishte… Nëse, sipas të gjitha gjasave, nuk ishte ndihmësit e tij në fushë, kush i foli në vesh Jorgjit…?