Gjergj Vyshka 28.03.2016 19:45
Ky Kampionat Kombëtar Individual i Bilardos i paraprin pjesëmarrjes në Kampionatin Evropian të Bilardos, që do të zhvillohet në Austrim, nga data 2, deri më 14 prill. E në këtë veprimtari, bilardoja shqiptare do të përfaqësohet nga dy sportistë. Mbi të gjitha, gjithnjë sipas informacionit të Federatës Shqiptare të Bilardos, ky kampionat ishte edhe një testim për bilardistët e tre kategorive, të rinj, të rritur dhe veteranë.
E të tre këto kategori do të kenë mundësinë e pjesëmarrjes në Kampionatet dhe Turnetë Evropiane të bilardos. E jo vetëm kaq, por dhe në Eliminatoret e Kampionatit Botëror, veprimtari e cila do të zhvillohet në Tiranë. Kështu, nga data 25 korrik, deri më 1 gusht 2016 është Kampionati Evropian për Të Rinj.
Më tej, më 2 dhe 3 gusht 2016 janë Eliminatoret e Botërorit, nga data 4, deri më 8 gusht 2016 turet evropiane dhe nga data 8, deri më 15 gusht 2016, Evropiani i Veteranëve. “Me këto veprimtari ndërkombëtare, bilardoja shqiptare realizon ëndrrën e saj për konkurrimin e çdo sportisti shqiptar përkrah kampionëve më të mëdhenj të Evropës dhe botës”, – ka përfunduar në informacionin e saj Federata Shqiptare e Bilardos.