AlbanianSport.com 02.06.2017 07:55
ASNN – Shqipëria vijon të shndërrohet gjithnjë e më tepër në destinacionin e veprimtarive sportive evropiane dhe botërore dhe sporti i radhës është disiplina e bilardos që njihet si “snooker”. Duke nisur nga 31 maji, e deri më 11 qershor 2017, po zhvillohet në Shëngjin Kampionati Evropian i Snooker-it. Në këtë Kampionat do të konkurrohet në 4 kategori të kësaj disipline, në atë të 6 të kuqeve, në atë të hapur, në atë ekipore (Femra, Meshkuj e Mjeshtra) dhe në atë individuale (Femra dhe Mjeshtra).
Në turneun e 6 të kuqeve, që po zhvillohet përgjatë këtyre 3 ditëve, po marrin pjesë 64 sportistë nga 12 vende të ndryshme të kontinentit dhe sot luhen dy gjysmëfinalet dhe finalja. Në kategorinë ekipore janë regjistruar dy lojtarë për çdo skuadër, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, por edhe për mjeshtrat. Ndërkohë, për mjeshtrat, që duhet të jenë mbi 40 vjeç në ditën e garës, skuadrat përbëhen nga maksimumi 4 lojtarë për çdo skuadër, si për femra, ashtu edhe për meshkuj.
Janë gjithsej 34 gjyqtarë ndërkombëtarë që do të gjykojnë në këtë këtë Kampionat Evropian. Pas përfundimit të disiplinë së 6 të kuqeve, më 4 qershor do të mbahet ceremonia e hapjes, duke vijuar nga data 5, deri më 8 qershor, me garat e Kampionatit Individual dhe atij Ekipor, që do t’i luajnë finalet përkatësisht më 10 dhe 11 qershor 2017. Sikundër çdo veprimtari madhore sportive, kombëtare apo ndërkombëtare, edhe të gjitha ndeshjet e këtij Kampionati Evropian të Snooker-it, do të vijnë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport.