Gjergj Vyshka 28.03.2016 13:15
Eklent Kaçi, bilardisti i Laçit, është kampioni i Shqipërisë në disiplinën me 9 gurë, ndërsa ky Kampionati Kombëtar Individual është zhvilluar për dy ditë me radhë në Tiranë.
Në këtë kampionat, edhe sipas informacionit të ardhur nga Federata Shqiptare e Bilardos, kanë marrë pjesë ekipet e Butrintit, Apolonisë, Levanit, Malësisë së Madhe, Skënderbeut, Besëlidhjes, Teutës, Dinamos, Partizanit, Naftëtarit, Përmetit, Tomorit, Vllaznisë.
Por nuk kanë munguar edhe bilardistë nga Maqedonia, Gjakova dhe Prizreni. Edhe sepse vizioni i Federatës Shqiptare të Bilardos me president Edmond Loku ishte për një kampionat individual në disiplinën me 9 gurë mbarëkombëtare.
Bilardisti më i vogël i veprimtarisë ka qenë 12-vjeçari i Teutës, Alban Paja, kurse më i vjetri, që ishte në kategorinë e veteranëve, ishte Feridan Çela i Partizanit. Gjithsej kanë qenë 70 bilardistë, ndërsa gjatë këtyre ndeshjeve u vu re një luftë e madhe sportive dhe dëshirë për fitore.
Kampionati Kombëtar Individual
i Bilardos në lojën me 9 gurë
Rezultatet teknike:
Turi çerekfinal:
Labinot Markaj (Vllaznia) – Edlir Kurthysa (Teuta) 7-9
Dorjan Maze (Naftëtari) – Lorenc Kureta (Naftëtari) 9-6
Edmond Zaja (Laçi) – Dritan Bajrami (Strugë) 9-8
Denio Gjinali (Dinamo) – Eklent Kaci (Laçi) 3-9
Turi gjysmëfinal:
Edmond Zaja (Laçi) – Edlir Kurthysa (Teuta) 9-2
Eklent Kaçi (Laçi) – Dorjan Maze (Naftëtari) 9-6
Finalja:
Edmond Zaja (Laçi) – Eklent Kaçi (Laçi) 7-9