AlbanianSport.com 28.07.2015 14:30
ASNN – Triumf i dyfishtë në Kampionatin Evropian të Bilardos për moshat që po zhvillohet në “St. Johan im Pongau” të Austrisë. Flamurin kuqezi e nderuan me dy medaljet e fituara nga bilardisti Eklent Kaçi. Përfaqësuesi kuqezi ka shkëlqyer në dy disiplina, 8 dhe 10, duke fituar medaljen e argjendtë (nënkampion Evrope për grupmoshën e tij) dhe të bronztë.
Në gjysmë-finale shqiptari Kaçi u mposht 6-3 nga bashkëmoshatari rus Fedor Gorst, i cili në fund do të kurorëzohej edhe kampion Evrope. Ndërsa në disiplinën 8 gurë, 16-vjeçari shqiptar u ngjit i dyti në podiumin e nderit. Kaçi ka zhvilluar 6 ndeshje në këtë disiplinë, duke u mundur vetëm në finale dhe fitoi 5 të tjerat. Në finale një sfidë e fortë mes Kaçit dhe boshnjakut Sanjin Pehlivanovic, ku ky i fundit fiton 6-5, edhe pse shqiptari udhëhiqte 5-4.