AlbanianSport.com 16/08/2021 17:30
ASNN – Bilardistët shqiptarë zënë 4 vendet e para. Sporti i bilardos arrin një tjetër sukses ndërkombëtar. Është Edmond Zaja i Laçit, i cili shpallet fitues i “Stekës së Artë”, në përfundim të Kampionatit të Hapur të Ballkanit, i cili u zhvillua në Vlorë. Me pjesëmarrjen e 64 sportistëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, nga data 12, deri më 15 gusht, në Lungomare në Vlorë, u zhillua ku turne ballkanik.
Për katër ditë me radhë në qytetin bregdetar shqiptar, kjo veprimtari ngjalli interesin e publikut vendas dhe turistëve të shumtë që kanë populluar Vlorën. Por duket se sezoni veror, në kulmin e tij, ka ndikuar në ardhjen e shumë konkurrentëve të tjerë nga shtete të tjera të Ballkanit. Një gjë të tillë e thekson Roland Panozaqi, trajner i ekipit të bilardos së Flamurtarit. Kampionati Ballkanik i Bilardos është zhvilluar për herë të fundit në Vlorë në 2018-ën.
Shefi i klubit shumësportësh të Flamurtarit, Klevis Kaso, pranon se ka qenë skeptik fillimisht për zhvillimin e kësaj veprimtarie ndërkombëtare në Vlorë, por më pas është habitur për atë çka u arrit. Stadiumi i mbuluar i bilardos, vendet turistike që dhuron qyteti i Vlorës, si dhe vetë Lungomare bënë që kjo veprimtari ndërkombëtare e sportit të bilardos të tërheqë vëmendjen edhe të turistëve, por u vendos që Ballkaniada të kthehet në një veprimtari të përvitshme në qytetin bregdetar.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Bilardos, Edmond Loku, ka kujtuar se “Steka e Artë” është bërë në Vlorë që nga viti 2012. Në këtë turne rajonal morën pjesë 64 bilardistë nga Ballkani, të gjithë konkurrentë tepër të fortë, që kanë fituar tituj të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Duket se piku i sezonit veror në Vlorë, mungesa e vendeve bosh në hotelet e qytetit bregdetar ka bërë që mjaft bilardistë të tjerë nga Serbia, Mali i Zi apo Greqia të mos mund të vinin dot në këtë veprimtari.
Në përfundim të Kampionatit të hapur Ballkanik, të katër vendet e para u zunë nga bilarditstët shqiptarë. Edmond Zaja i Laçit ka fituar në finale ndaj Besmir Cufes të Flamurtarit. Ndërsa në vendin e 3-të dhe 4-t u renditën përkatësisht Ermal Dyli dhe Adrian Gocaj të Teutës. Rivaliteti midis konkurrentëve ka qenë i padiskutueshëm, përgjatë 4 ditëve të turneut në ministadiumin e mbuluar 1,000-vendësh, të ngritur në Lungomare, me spektatorët e shumtë që ndiqnin ndeshjet deri në orët e vona.