AlbanianSport.com 20.08.2015 22:15
ASNN – Ashtu sikundër ishte paralajmëruar, Komisioni i Licencimit të Stadiumeve në Federatës Shqiptare të Futbollit, i kryesuar nga shefi i tij, Elton Gjipali, ka inspektuar ditët e fundit Stadiumin “Ismail Xhemali”-n në Pukë. Në përfundim të këtij inspektimi, ky komision ka vendosur që, të paktën për ndeshjen e parë të sezonit, në këtë mjedis sportiv, nuk mund të luhet një ndeshje e Superiores.
Edhe pse gazetarët në terren raportojnë se është punuar me ritme të shpejta që gjithçka të jetë fati për “uverturën” Tërbuni-Tirana, burime në organizmin që qeveris futbollin shqiptar zbulojnë se dhomat e zhveshjes dhe stolat e rezervave nuk janë sipas parametrave të kërkuara. Për këtë motiv, drejtuesit e klubit duhet të nxitojnë për të gjetur një stadium për të luajtur javën e parë kundër bardhebluve.
Ndërkohë, pas vendimit të FSHF-së, se “Ismail Xhemali” nuk është gati për të zhvilluar një ndeshje të Superiores, i menjëhershëm ka qenë reagimi i drejtuesve të Tërbunit. Shefi i klubit, Bujar Meha, gjatë një deklarate të dhënë për gazetat sportive shqiptare ka këmbëngulur se prej dy muajve është punuar me ritme të larta, për të plotësuar që të gjitha kërkesat që iu paraqitën kubit pukjan nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Sipas Mehës, “gjithçka është gati për startin e sezonit 2015-2016”, por FSHF-ja mendon ndryshe.
Restaurimi i pjesshëm që është bërë në këtë stadium, konsiston në ngritjen e murit rrethues prej tre metrave, si dhe janë vendosur stola në shkallët e stadiumit, përfshi edhe tribunën VIP. “Kemi ndërhyrë në mjediset e brendshme, dhomat e zhveshjes së futbollisteve dhe dhomat e gjyqtarëve, – ka këmbëngulur Meha. – Janë restauruar dushet dhe tashmë kemi energji.”
“Por ashtu, është gati edhe sektori i mediave, duke plotësuar kështu parametrat e kërkuara”, – ka përfunduar ai. Në fakt, Stadiumi “Ismail Xhemali”, i cili, kur u ndërtuar para disa vitesh ka kushtuar të paktën 50,000 euro, ka marrë një tjetër pamje, krahasuar me vitet e tjera. Por duket se klubi pukjan debutimin e tij në elitë do të detyrohet ta shijojë tjetërkund.